Ancelotti: Dua të rinovoj me Realin

20/11/2014 00:00

Carlo Ancelotti ka besim të madh se do të nënshkruajë rinovimin e kontratës aktuale me Real Madridin, edhe pse e pranon se deri më tani nuk ka marrë asnjë ofertë zyrtare.

Trajneri italian, i cili udhëhoqi “Los Blancos” drejt titullit të dhjetë në Europë sezonin e kaluar, pritet të jetë në krye të madrilenëve për të paktën dy vite të tjera, sipas kontratës aktuale.

“Kam një marrëveshje deri në vitin 2016”, tha Ancelotti për një radio spanjolle. “Nuk e di nëse do ta rinovoj së shpejti, por do të më pëlqente ta bëja. Nuk kam marë ende asnjë ofertë zyrtare, por e di se në fund do ta bëjmë diçka të tillë”.

“Los Merengues” kryesojnë edhe La Ligan, me 2 pikë avantazh ndaj Barcelonës pas 11 ndeshjesh të luajtura deri më tani, ndërkohë që kanë siguruar kualifikimin për në 1/8-at e Champions League, duke fituar të gjitha ndeshjet e luajtura deri tani.

Ancelotti e ka ngritur reputacionin e tij si një prej trajnerëve më të mirë në Europë, gjatë eksperiencës së tij në Madrid. 55-vjeçari kaloi në “Bernabeu” në qershor 2013, pak pasi kishte udhëhequr Paris SG drejt titullit kampion në Ligue 1.

Tekniku italian ka udhëhequr gjithashtu Chelsean drejt titullit kampion në Premier League, sezonin 2009-2010, por sukseset më të mëdha i ka arritur gjatë mbretërimit 8-vjeçar në krye të Milanit. Ai drejtoi “kuqezinjtë” drejt 8 trofeve, përfshi titujt e Serie A dhe Champions League.

Top Channel