Minutat e turpit në ndeshjen Bregu i Fildishtë-Kamerun

20/11/2014 00:00

Bregu i Fildishtë dhe Kameruni u bënë protagonistë të disa minutave të turpshme në ndeshjen e fundit kualifikuese për në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Kameruni ishte i kualifikuar dhe nuk luante për asgjë, ndërsa Bregut të Fildishtë i mjaftonte barazimi për t’u kualifikuar në turneun që do të zhvillohet në Guinenë Ekuatoriale në fillim të vitit 2015. Duke u nisur nga kjo, të dyja skuadrat “ranë dakord” të mos sulmonin njëri-tjetrin në minutat e fundit të ndeshjes.

Ishte minuta e 89 dhe rezultati 0-0, kur Bregu i Fildishtë u mblodh në mesfushën e tij dhe pasonte topin me portierin. Ndërkohë, Kameruni nuk bënte aspak presion për ta rekuperuar atë.

Kështu kaluan 5 minuta që duket sikur nuk do të përfundonin kurrë. Edhe trajneri i Bregut të Fildishtë, Herve Renard, u fut në dhomat e zhveshjes pa mbaruar takimi.

Top Channel