Ekzekutohet në qendër të Durrësit 50-vjeçari

18/11/2014 00:00

Pronari i një lokali në qendër të Durrësit ka mbetur i vrarë me armë zjarri, gjatë një atentati që ndodhi mbrëmjen e së martës, ndërsa policia ka organizuar një plan operacional në Nikël të Krujës për kapjen e autorit.

I njohur si person me precedentë penalë të mëparshëm, Leonard Murataj, 50 vjeç, humbi jetën nga plagët e shkaktuara nga një arme zjarri, që u derdh me breshëri mbi të.

Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri mbi viktimën, që në çastin e krimit ndodhej në derën e lokalit të tij në qendër të Durrësit, pranë Bashkisë.

Nga dëshmitë e para rezulton se në krim janë përfshirë dy persona, që pas të shtënave janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, të favorizuar nga nata dhe moti i keq me reshje të dendura dhe stuhi.

Viktima njihej si mik e më pas rival i Lulzim Berishës, një nga emrat e njohur të botës së krimit në Durrës. Ndaj Muratajt, që nga viti 1999 e më pas, kanë rënduar akuzat e vrasjes, përfshirë dhe atë të një funksionari publik, pengmarrjes dhe armëmbajtjes pa leje, por megjithatë në asnjë rast drejtësia nuk e ka shpallur fajtor për krimin e vrasjes.

Pas ekzekutimit të tij, policia lokale ka ngritur postblloqe në hyrje-daljet e Durrësit, si dhe ka nisur veprimet e para proceduriale në vendin e ngjarjes. Burime policore bëjnë të ditur se një plan operacional për kapjen e autorëve po zhvillohet në zonën e Niklës në Krujë.

Ndërkohë që policia gjeti të braktisur një mjet me targa të Krujës, që mendohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Top Channel