Messi: Nëse shënoja në finale…

18/11/2014 00:00

Leo Messi foli rreth rendimentit të tij në Botërorin e Brazilit dhe deklaroi se nëse do të kishte shënuar në finalen ndaj Gjermanisë, të gjithë do të thonin se performanca e tij në këtë kompeticion ishte spektakolare.

Ylli argjentinas kishte një rast shumë të mirë në fillimin e pjesës së dytë, por diagonalja e tij përfundoi jashtë, ngjitur me shtyllën.

Trishtimi në finale – Ishte e dhimbshme sepse iu afruam shumë. Gjithashtu, u ndjemë keq nga mënyra si humbëm. Ne kishim rastet më të pastra të ndeshjes, ndërsa ata thjesht zotëruan topin. Ishte një moment i vështirë për të gjithë ne. Qëllimi ynë në fillim të turneut ishte të shkonim në finale pasi askush nuk besonte se mund të luanim atë takim.

Vlerësimi i Botërorit – Eliminatoret i luajtëm me dy sulmues dhe unë pas tyre, por me dëmtimin e Agueros dhe Di Marias na u desh të ndryshonim. Të gjithë sakrifikuam pasi nisëm të luanim në një formë që nuk e kishim provuar më parë. Nuk e fituam dot, por kombëtarja u paraqit shumë mirë.

Vlerësimi i vetes – Do doja të kisha luajtur më mirë në gjysmëfinale dhe finale. Gjithsesi, nëse do të kisha shënuar në finale, do të thonin që kisha zhvilluar një Botëror spektakolar dhe që shkëlqeva në të gjitha ndeshjet. Nuk shënova dhe më kritikojnë. E pranoj që nuk ishin ndeshjet e mia më të mira, por nuk ishin dhe aq të këqija. Argjentina zhvilloi një kompeticion të madh dhe dukej sikur vetëm unë nuk kisha dhënë rendimentin që pritej.

Top Channel