UEFA, procedim disiplinor për Itali-Kroaci

18/11/2014 00:00

UEFA ka njoftuar paraditen e së martës se ka hapur procedime disiplinore kundër Italisë dhe Kroacisë pas ndeshjes së zhvilluar mes tyre të dielën, në Milano.

Takimi i vlefshëm për kualifikueset e “Euro 2016” u ndërpre përkohësisht në të dyja pjesët (për 10 minuta në të dytën) nga arbitri holandez Bjorn Kuipers, pasi tifozët kroatë hodhën fishekzjarrë dhe bomba tymuese në fushën e lojës.

Akuza për sjellje raciste, trazira mes tifozësh dhe hedhjen e fishekzjarreve dhe tymueseve janë ngritur kundër Federatës kroate të Futbollit, ndërsa Italia akuzohet për lejimin e hedhjes së këtyre mjeteve të ndaluara nëpër stadiume. Rasti në fjalë do të merret në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës, Kontrollit dhe Etikës në UEFA më 11 dhjetor.

Antonio Candreva kaloi në avantazh italianët në minutën e 11 të takimit, duke shënuar të parin gol me kombëtaren, ndërkohë që Ivan Perisic barazoi rezultatin për kroatët 4 minuta më vonë. Ndeshja përfundoi me rezultatin 1-1, por ritmi i lojës u ndërpre shpesh nga ngjarjet në tribunat e tifozëve.

Në pjesën e dytë, lojtarët u urdhëruan të futeshin në dhomat e zhveshjes për 10 minuta nga gjyqtari i takimit. Rezultati i la të dy ekipet në kuotën e 10 pikë, në krye të grupit H.

Top Channel