Italia denoncon dhunën serbe

18/11/2014 00:00

Ngjarja e turpshme e Beogradit, edhe pse ka kaluar rreth një muaj, vazhdon të bëjë jehonë.

Mbrëmjen e së hënës, një nga emisionet më të njohura sportive në Itali, “Tiki Taka” i kanalit “Italia Uno”, ka publikuar ekskluzivisht një pjesë të materialit që Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar UEFA-s, për të evituar humbjen në tavolinë të ndeshjes dhe për të marrë 3 pikët.

Një material i stërparë nga të gjithë ne, vetëm nga UEFA jo, megjithatë opinioni publik italian, në prag të ndeshjes që do të luajë sot përfaqësuesja e tyre me Shqipërinë, duket të jetë akoma më i shokuar nga ajo që dëgjuan në gjuhën e tyre këtë herë, apo panë ekskluzivisht me fakte.

Mes shtangies së të ftuarve të këtij emisioni, ajo për të cilën vendoset theksi më tepër, pasi është ndjekur edhe një intervistë e Lorik Canës, është kërkesa që ka bërë gjyqtari për t’u rikthyer në fushën e lojës.

“Gjyqtari është cilësuar si jo koshient për atë çka ndodhi, me sa duket, dhe kjo është shumë e rrezikshme”.

Një tjetër publik i befasuar nga dhuna e egër në stadiumin e Beogradit, dhe kjo i ndodh italianëve, të cilët vetë ishin të befasuar nga ato fishekzjarrë që tifozët kroatë hodhën në fushën e “San Siros” të dielën në mbrëmje, në kualifikuesen e Europianit, por që mbi të gjitha, materiali ekskluziv i “Italia Uno”-s rezultoi shokues për të gjithë.

Ndërkohë, sa i përket çështjes, tashmë ajo ka kaluar në Apel dhe vendimi i tij, nga i cili nuk shpresojmë shumë, pritet të merret më 2 dhjetor.

Top Channel