Sot miqësorja Itali-Shqipëri

18/11/2014 00:00

Sonte në mbrëmje në stadiumin “Luigi Ferraris” të Xhenovas do të zhvillohet miqësorja e luksit mes Italisë dhe Kombëtares shqiptare.

Elert Yzeiri, drejtori i Top News, i cili ndodhet në Xhenova pranë Kombëtares sonë, në një lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” solli detajet më të fundit nga kampi kuqezi.

Pandi Gjata: Mbrëmjen e sotme Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë miqësoren e luksit ndaj Italisë. Mund të na japësh detajet e fundit nga komunikimi që ke pasur me trajnerin De Biasi dhe djemtë e Kombëtares?

Elert Yzeiri: Kjo nuk është vetëm një miqësore luksi, por mund të quhet edhe një ndeshje historike për Kombëtaren shqiptare, pasi dashuria e madhe e shqiptarëve për futbollin italian nuk është vënë asnjëherë në provë në përballjen mes dy kombëtareve. Italia dhe Shqipëria luajnë për herë të parë një ndeshje futbolli së bashku, në këtë rast është një ndeshje miqësore. Është një atmosferë shumë e mirë, duke pasur parasysh faktin që Kombëtarja vjen në këtë ndeshje pas barazimit të arritur vetëm pak ditë më parë në Francë. Ai barazim ka bërë një jehonë shumë të madhe. Të gjitha mediat në Itali kanë pasur një interesim shumë të madh për këtë ndeshje, edhe për faktin se trajner i Shqipërisë është një italian. Të hënën skuadra udhëtoi nga Milano në drejtim të Xhenovës me autobus, duke qenë se aeroporti i Xhenovës ka qenë i mbyllur për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Pandi Gjata: Si janë aktualisht kushtet atmosferike? A rrezikohet zhvillimi i ndeshjes?

Elert Yzeiri: Kushtet atmosferike nuk ishin të mira, por problemi nuk qëndronte tek fusha e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja, por problemi qëndronin në infrastrukturë, pasi disa rrugë hyrëse dhe dalëse të qytetit të Xhenovës ishin të blokuara. Federata Italiane e Futbollit ka bërë edhe një inspektim të kushteve të stadiumit dhe vetë drejtuesit e federatës kanë dhënë më pas aprovimin. Kam komunikuar pak më parë me trajnerin De Biasi dhe tekstualisht më ka thënë: “Akoma nuk e besoj atë që kemi përjetuar në Francë”. Skuadra zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, të cilën ndoshta edhe vetë nuk e prisnin lojtarët së bashku me trajnerin.

Pandi Gjata: Po për ndeshjen me Italinë cilat janë pritshmëritë?

Elert Yzeiri: Në këtë momente skuadra duhet të ruajë përqendrimin, të zhvillojë lojën e saj siç e bëri ndaj Francës, por edhe në ndeshjet eliminatore. Trajneri ka punuar më shumë në anën psikologjike me skuadrën. Italia do të zbresë në fushë me ekipin e dytë, pasi nuk mund të luajnë lojtarët që luajtën 48 orë më parë. Skuadra e dytë është e përbërë nga lojtarë me dëshirë për të dhënë maksimumin dhe janë të rrezikshëm.

Pandi Gjata: Kjo ndeshje do të ndiqet edhe nga një numër i madh shqiptarësh në stadium, apo jo?

Elert Yzeiri: Kjo është edhe pjesa më e bukur, e cila do ta bëjë edhe më interesante këtë ndeshje. Disa zëra thonë se në stadium do të ketë më shumë tifozë shqiptarë sesa italianë. Në këtë zonë ka shumë shqiptarë, por kanë ardhur shumë edhe nga Lombardia. Që nga mëngjesi i ditës së djeshme, kur ne kemi mbërritur këtu, kanë ardhur shumë tifozë nga Shqipëria, por kemi gjetur edhe shumë të tjerë këtu të ardhur nga qytetet të tjera të Italisë. Mendoj që do të jetë një atmosferë shumë e ngrohtë.

Top Channel