Miqësorja me Italinë, Duka: Përballje historike e Shqipërisë

17/11/2014 00:00

Të martën, qyteti i Xhenovas do të pushtohet nga shqiptarët. Mediat italiane kanë shkruar se pritet të jenë rreth 10 mijë tifozë kuqezi, të ardhur edhe nga Zvicra, Franca apo Gjermania, për të mbështetur kombëtaren tonë në miqësoren me Italinë, e cila do të luhet në stadiumin “Luigi Ferraris”.

Gazetarët e “Sky Sport Italia”, ku ka qenë i ftuar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e kanë cilësuar historike për Shqipërinë përballjen e parë me kombëtaren e tyre, e cila mban mbi supe 4 tituj kampion bote.

“Për ne është një ndeshje e rëndësishme, edhe pse luajmë për bamirësi. Lojtarët tanë janë përgatitur për të bërë një ndeshje të mirë, që sigurisht do të jetë e vështirë për ne”, ka thënë presidenti Duka.

Gazetarët italianë kanë folur me superlativa për kombëtaren tonë, e cila në katër ndeshjet e fundit nuk ka pësuar asnjë humbje.

“Prej rreth 3 vjetësh kemi si trajner De Biasin, një teknik i mirë që e ka ndryshuar shumë kombëtaren tonë. Është një person serioz dhe ne jemi shumë të kënaqur me punën e tij. Shpresojmë që të jemi bashkë, të vazhdojmë kështu, pasi është mirë për ne, është mirë për Shqipërinë, është mirë për të gjithë”, ka vijuar më tej Duka.

Pasi ka treguar orët e tmerrit në Beograd, Duka ka theksuar se qëllimi i kombëtares shqiptare është të luajë në finalet e “Euro 2016”, që do të zhvillohen në Francë.

“Objektivi ynë është që të luajmë në Francë. Ne kurrë nuk lemi luajtur në një kampionat europian apo botëror, kështu që nëse shkojmë do të ishte historike. Shpresoj që të shkojmë për gjithë popullin shqiptar. Unë jam i sigurt se, nëse shkojmë në Francë, do jemi skuadra që do të kemi më shumë tifozë atje”, ka përfunduar presidenti Duka, deklaratën për italianët.

Top Channel