Kthehen kampionët e botës

15/11/2014 00:00

Kanë mbërritur në Tiranë pas triumfit në Kazakistan peshëngritësit shqiptarë, ku me kampionin e botës në krye, Daniel Godellin, kanë mundur të regjistrojnë një nga rezultatet më të larta në historinë e peshëngritjes shqiptare.

Atmosfera në aeroportin “Nënë Tereza” ka qenë e ngrohtë dhe tifozët kuqezi i kanë rezervuar një pritje të veçantë peshëngritësve shqiptarë.

“Ju falenderoj nga zemra. Përkulem pafundësisht mirënjohëse ndaj dy kampionëve të botës që vijnë nga Shqipëria. Nga Shqipëria e vogël, por e madhe në pasionin për sportin, por e madhe në pasionin për të arritur rezultate. Danieli dhe Romela, ashtu sikurse edhe Erkandi me fitoren e tij më herët si kampion Europe, treguan se pasioni për sportin dhe ëndrra për suksesin është realitet. Ata sot janë kampionë të botës, por janë heronj të Shqipërisë”, theksoi Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit. 

“I kishim vënë një qëllim vetes pas Kampionatit Europian dhe tashmë e arritëm. Jemi shumë të lumtur për këtë që kemi bërë. I gjithë ekipi i peshëngritjes shkoi shumë mirë. Shpresojmë që në Olimpiadë të kemi një ekip të plotë, për herë të parë në histori. Ju falenderoj të gjithëve”, u shpreh Daniel Godelli.

“Është bërë një punë shumë e madhe. Është një kënaqësi pasi ishin rezultate historike për peshëngritjen në Shqipëri”, tha Romela Begaj.

Përfaqësuesja e qeverisë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla premtoi se shumë shpejtë do të ketë një VKM për të ndryshuar mënyrën e shpërblimit të këtyre sportistëve, jo vetëm për dygarëshin, por edhe për medaljet.

Top Channel