Peshëngritja nderon Shqipërinë

13/11/2014 00:00

3 medalje ari dhe 1 argjendi, të fituara në Botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Kazakistan, është rezultati më i mirë që ka arritur ndonjëherë sporti shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Suksesin e 22-vjeçarit nga Peqini, Daniel Godelli, e pasoi peshëngritësja Romela Begaj, e cila edhe pse e dëmtuar u shpall kampione bote në stilin e shkëputjes, në peshën 63 kg.

28-vjeçarja ngriti 113 kg dhe, falë peshës trupore më të vogël se sportistja nga Kazakistani, Karina Goricheva, e cila ngriti po 113 kg, e dështimit të ish-kampiones së botës, Tima Turieva, arriti të marrë medaljen e artë në Almaty të Kazakistanit, e para për të në një kampionat botëror.

“Është një ndienjë shumë e madhe për mua, një kënaqësi. Ishte një garë shumë e fortë, sepse kisha përpara kampione bote dhe kampione olimpike, por jam krenare që jam shqiptare”, tha Romela Begaj.

Të mërkurën, Daniel Godelli u shpall kampion bote në peshën 77 kg; fillimisht në stilin e shkëputjes, pasi ngriti 171 kg, dhe më pas në dygarësh, me 369 kg; duke u bërë dhe sportisti i parë shqiptar, që shpallet kampion bote në këtë sport.

“Ishte një punë e madhe që bënë të gjithë faktikisht, duke nisur nga Federata e Peshëngritjes. Kemi pasur fatin e mirë që kishim trajner të kombëtares Luan Shabanin, i cili bëri të pamundurën që kjo gjë të realizohej. Jam i lumtur, falënderoj të gjithë, nga trajneri im deri te familja ime”, u shpreh Godelli.

Ndërkohë, dëmtimi në kurriz nuk e ka lejuar kampionin e Europës, Erkand Qerimaj, të jetë në lartësinë e Godellit dhe Begajt. Peshëngritësi shkodran u rendit i pesti në stilin e shkëputjes, ndërkohë që dështoi në të 3 provat në stilin e shtytjes.

Pas suksesit të Godellit dhe Begajt, dy sportistëve – që tashmë janë kualifikuar për në Lojrat Olimpike “Rio 2016” – fshihet ish-peshëngritësi shqiptar Luan Shabani. 43-vjeçari, i cili aktualisht është trajner i kombëtares greke të Peshëngritjes, i ka qëndruar pranë sportistëve tanë gjatë stërvitjes së tyre në Greqi, por dhe më pas gjatë garave në Kazakistan.

“Kjo (referuar medaljes së artë) është dhurata e Luan Shabanit për të gjithë shqiptarët dhe në emër të të gjithë atyre të falënderoj: Falemnderit Luan”, ishte mesazhi i Romela Begajt.

Top Channel