Kombëtarja, gati për dy miqësoret

12/11/2014 00:00

Dy miqësoret e radhës kundër Francës dhe Italisë do t’i shërbejnë kombëtares kuqezi për të fituar sa më shumë eksperiencë. Grupi i miksuar mes të rinjve dhe veteranëve kërkon konfirmim edhe në nivele të tilla, prandaj trajneri Giani De Biasi kërkon që skuadra të luajë e bashkuar për të fituar sa më shumë nga këto dy sfida.

“Duhet të fitojmë sa më shumë eksperiencë pasi luajmë ndaj dy skuadrave të forta. Kur luan ndaj ekipeve të këtij niveli ka shumë rëndësi paraqitja. Do të kërkojmë të mos pësojmë gola dhe të shfaqemi në fushë siç kemi bërë ndeshjet e fundit. Kam disa mungesa të rëndësishme si Xhaka e Kaçe, prandaj nuk kam marrë një vendim për formacionin”, u shpreh De Biasi.

Tekniku italian i kombëtares shqiptare e pranon se dy miqësoret e radhës duhet të ndihmojnë grupin të jetë më i konsoliduar, por në asnjë mënyrë djemtë e tij nuk duhet t’i konsiderojnë si sfida të parëndësishme: “Në këto dy sfida nuk do të shkojmë për shëtitje. Ne do të kërkojmë të mos humbasim, madje po të na jepet mundësia do të kërkojmë edhe fitore”.   

I të njëjtin mendim është edhe kapiteni Lorik Cana, i cili thekson se ndeshjet me kombëtaren nuk i konsideron asnjëherë si miqësore. Gjithsesi, nga kapiteni ka qenë me interes rrëfimi për atë çka ndodhi mes tij dhe gjyqtarit të ndeshjes bashkë me delegatin në dhomat e zhveshjes në Beograd.

“Bashkë me menaxherin dhe presidentin e FSHF-së vendosëm që ndeshja të mos vazhdonte për ne. Kur ka dhunë në fushë, ndeshja ndërpritet, ashtu siç kemi parë të bëjë UEFA në raste të tjera. Ndeshjet janë ndërprerë për dhunë mes tifozëve në tribuna, e jo më për dhunë në fushë. Ata na pyetën nëse ishim në gjendje të vazhdonim ndeshjen dhe pasi u mblodhëm me skuadrën e pamë dëmtimet fizike që kishim marrë, i thamë arbitrit që nuk mund ta vazhdonim ndeshjen aty ku u la”, sqaroi Cana.

Top Channel