20-vjetori i titullit të parë, Schumi “riaktivizon” faqen personale

12/11/2014 00:00

“13 nëntori 1994 është një ditë speciale në jetën sportive të Michael Schumacher. 20 vjet më parë – siç kujton zëdhënësja e legjendës së Formula 1, Sabine Kehm, – Schumi u bë gjermani i parë që fitonte një titull botëror, për më tepër të parin nga 7 të tilla”.

“Për të festuar këtë 20-vjetor të titullit të parë kampion bote të tijin, do të riaktivizohet faqja zyrtare e Michaelit në internet. Shpresojmë që me këtë nismë t’u dhurojmë të apasionuarve nga e gjithë bota, të cilët mbeten ende besnikë të tij duke e treguar këtë edhe pas incidentit të Alpeve, një ‘shtëpi’ të përbashkët”.

“Faqja e re, me një konceptim të ri, është e pajisur me shumë foto që tregojnë historinë fantastike të Michael, me shifra, të dhëna dhe fakte, që kanë shënuar karrierën e shkëlqyer të tij. Në brendësi të saj, – tregon Kehm – ka edhe një zonë për fansat, ku ata mund të dërgojnë mesazhet e tyre kushtuar Michael, përmes Tëitterit”.

“Duam të falënderojmë të gjithë personat, të cilët me energjitë e tyre pozitive, dëshirojnë më të mirën për Michael. Jemi të sigurt se me mbështetjen e tyre e kanë ndihmuar tashmë legjendën”, është mesazhi i familjes së Michael, i cili shfaqet në faqen personale të tij me titullin “Falemnderit të gjithëve”.

Top Channel