Një aksident automobilistik me pasoja tragjike është regjistruar mesditën e së martës në rrugën Kukës-Morinë, në vendin e quajtur Ura e Uzinës.
Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, BMW me targë të Kosovës KS 0185 AF dhe Wolkswagen me targë të Sërbisë VR 001 KZ, kanë mbetur të vdekur 3 shtetas kosovarë nga Drenica, pjesëtarë të një familjeje: babai,vajza dhe bashkëshortja, ndërkohë që janë plagosur 2 persona të tjerë.
Sipas hetimeve paraprake, bëhet e ditur se dy automjetet kanë qenë duke udhëtuar njëra drejt Kosovës e tjetra drejt Shqipërisë kur janë përplasur, gjë që ka bërë që dy prej viktimave të humbin jetën në vend, ndërkohë që viktima tjetër të ndërrojë jetë në spitalin e Kukësit.
Sipas policisë, viktimat janë Bashkim Hamidi (54 vjeç), Zejmihane Hamidi (52 vjeç) dhe Emrushe Hamidi (17 vjeç) nga Presheva.
Policia e Kukësit është duke vijuar hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë.
Ndërkohë, një tjetër aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në fshatin Plug të Lushnjes. Mësohet se pas aksidentit mjeti është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa ende nuk është bërë i mundur identifikimi i viktimës.
Top Channel