Deschamps: Euro 2016? Nuk jemi pretendentë

10/11/2014 00:00

Humbja minimale 1-0 në çerekfinalet e Botërorit “Brazil 2014” ndaj atyre që më pas rezultuan të ngrinin trofeun e kampionëve të botës, Gjermanisë, për trajnerin e Francës Didier Deschamps ka qenë një pikënisje për të ardhmen.

Duke parë performancën e tmerrshme të “Les Bleus” në Afrikën e Jugut, 4 vjet më parë, si dhe formën e luhatshme të tyre gjatë kualifikueseve, ecuria deri në 1/8-at e finaleve të Botërorit mund të konsiderohet padyshim edhe një hap i madh përpara.

Ish-mesfushori Deschamps, i cili ndihmoi Francën të ngrinte një trofe të ngjashëm në vitin 1998, në vendin e tyre, thotë se, pavarësisht nga të qenurit disi prapa ekipeve elitare të botës, ka një objektiv të qartë për Euro 2016, që do të zhvillohet në Francë.

“Nga konferenca e trajnerëve të ekipeve kombëtare europiane dhe drejtorët e futbollit kam mësuar se po flitet gjithnjë e më shumë për një futboll sulmues. Më habit fakti që lojtarët po shfaqen të aftë për të përballuar sfida me intensitet të lartë ndeshje pas ndeshjeje. Megjithatë, aftësia e gjithsecilit prej tyre është ajo që bën diferencën, pavarësisht se performanca atletike është e rëndësishme”, tha Deschamps, i pyetur mbi opinionin e tij mbi futbollin e sotëm.

Ndërsa, duke e kthyer vëmendjen te të qenurit trajner i një kombëtareje, ai tha:

“Kam luajtur në kampionate botërore dhe kam fituar një të tillë, por eksperienca si trajner i Francës është ndryshe, sepse në këtë rol duhet të mendosh për më shumë gjëra, nga të cilat rezultatet janë kryesoret. Detyra ime është të përzgjedh lojtarët e kombëtares, nuk është thjesht çështje e asaj që ata do të japin në fushë, por asaj që ata janë të aftë të japin nëpër ndeshje të ndryshme, bazuar mbi cilësitë e tyre. 9 prej lojtarëve të ekipit aktual janë nën 25 vjeç, tepër të rinj, dhe 3 prej tyre luajnë me klube të mëdha europiane. Ndeshje të tilla si ato në Brazil ndihmojnë lojtarët të maturohen më shpejt dhe të fitojnë eksperiencë, të cilët do ta shfrytëzojnë në Europianin e ardhshëm”.

Në lidhje me progresin e bërë deri më tani, kur Franca ka mposhtur 1-0 Spanjën dhe ka barazuar 1-1 me Serbinë në ndeshjet e para pas Botërorit, Deschamps thotë:

“Spanja ishte një ndeshje e madhe për ne, sepse ktheheshim përpara tifozëve tanë pas Brazilit. Stadiumi ishte plot dhe ne arritëm t’i kënaqnim ata, por edhe të rrisnim besimin tonë. Ndaj Serbisë zhvilluam një ndeshje të vështirë në terren të vështirë, ata janë një kundërshtar i fortë, por më duhej t’u jepja minuta loje shumë lojtarëve, për t’i dhënë eksperiencë përpara Euro 2016. Në grupin I do të zhvillojmë miqësore edhe ndaj Portugalisë, Danimarkës, Armenisë dhe Shqipërisë, por gjatë këtyre dy viteve do të luajmë edhe me Italinë, Anglinë, Holandën dhe Gjermaninë. Nuk kemi ç’të bëjmë tjetër veç miqësoreve deri atëherë”, deklaroi Deschamps.

Por, duke folur për “rivalët” e ardhshëm, Deschamps është ndalur pak edhe te Shqipëria.

“Kemi përpara ekipe të ndryshme në shumë aspekte. Njohim shumë për Portugalinë dhe Serbinë, ndërsa Armenia dhe Shqipëria janë dy ekipe që po bëjnë progres vitet e fundit. Kemi parë Shqipërinë se çfarë bëri në Portugali, duke vënë në vështirësi një ekip me emra, madje duke marrë edhe fitoren atje. Por, këto ndeshje për ne janë përgatitore, për të qenë sa më kompetitivë në këtë periudhë 2-vjeçare para Europianit”.

Për objektivat e së ardhmes:

“Si lojtar kam fituar Botërorin dhe Europianin në hapësirën e dy viteve, gjë që tani synon ta bëjë Gjermania. Ata janë shumë përpara nesh, pasi edhe më herët nga sa të shpalleshin kampionë bote, ata arrinin nëpër gjysmëfinale apo finalet e kompeticioneve që prej vitit 2006. Patën 8 vjet dominancë dhe disa prej lojtarëve që u shpallën kampionë kanë 6 vjet që luajnë bashkë. Sigurisht, ekipe si Gjermania, Holanda dhe Spanja janë para nesh, por shanset janë që Franca të përsërisë sërish sukseset e arritura në 1984 dhe 1998, kur u fituan Europiani dhe Botërori të zhvilluara në vendin tonë. Nuk do të jetë e lehtë, por do të japim më të mirën”.

Top Channel