Insigne këput ligamentet e gjurit

10/11/2014 00:00

Sulmuesi i Napolit dhe i Italisë, Lorenzo Insigne, do të jetë jashtë fushave të blerta për të paktën 5 muaj, duke konfirmuar kështu parashikimet e zymta për italianin, pas dëmtimit të pësuar gjatë ndeshjes me Fiorentinën.

Pas vlerësimeve të kryera në “Villa Stuart” të Romës është dalë në konkluzionin se lojtari në fjalë ka thyer ligamentin kruciat ballor në gjurin e djathtë. Sulmuesi napolitan është operuar sot nga mjeku i njohur italian Mariani.

23-vjeçari pësoi një goditje pas 25 minutash lojë në përballjen e Serisë A, të fituar nga të besuarit e Rafael Benitezit 0-1, të cilët tashmë janë ngjitur edhe në vendin e tretë të renditjes, 7 pikë larg liderëve të Juventusit.

Insigne ka luajtur deri më tani 6 ndeshje me Italinë dhe ka qenë pjesë e skuadrës gjatë Botërorit të fundit në Brazil. Sa i përket zëvendësuesit të tij gjatë kësaj kohe në kampionat, flitet për anësorin belg Dries Mertens.

Top Channel