F1, Rosberg fiton në Brazil, kampioni vendoset në Abu Dhabi

09/11/2014 00:00

Nico Rosberg ka mbajtur fjalën dhe nuk është dorëzuar këtë herë ndaj presionit të Lewis Hamilton në Interlagos, në Brazil.

Gjermani, i skuadrës Mercedes, ka mbajtur kryesimin që nga starti dhe deri në fund, edhe pse në pjesën e dytë të garës i është dashur të përballej me presionin e shokut të tij të skuadrës, i cili pavarësish llogarive në favor të tij, ka tentuar deri në fund të fitojë këtë çmim të parë.

Gjithsesi, me pesë fitore në këtë sezon, Rosberg mban vendin e dytë me 17 pikë diferencë për garën e fundit ndaj kryesuesit të klasifikimit të përgjithshëm Lewis Hamilton, i cili nga 18 gara të zhvilluara deri më tani ka fituar 10.

Në vendin e tretë në Çmimin e Madh të Brazilit u ngjit piloti vendas, Felipe Massa, i cili pavarësisht problemeve dhe gabimeve arriti të ngjitet në podium për të përshëndetur tifozërinë e tij.

Një garë mjaft të mirë kanë zhvilluar edhe Jenson Buton dhe Sebastian Vettel të renditur respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë, duke lënë pas tyre dy makinat Ferrari. Fernando Alonso ka dueluar për disa xhiro me Kimi Raikonen dhe ka qenë ai që e fitoi këtë përballje, duke e kaluar finishin i gjashti, ndërsa finlandezi u desh të kënaqej me vendin e shtatë.

Daniel Ricciardo, piloti tjetër i Red Bull-it u detyrua të tërhiqej nga kjo garë për shkak të një problemi me sistemin e frenimit në fillimin e saj.

Gara e fundit e këtij sezoni, ku do të vendoset edhe fituesi i titullit kampion bote për pilotë, mes Hamilton dhe Rosberg, do të jetë pas dy javësh në Abu Dhabi.
 

Top Channel