Real-Barça ruajnë hapin, sërish 2 pikë diferencë

09/11/2014 00:00

Gareth Bale rigjen rrugën e rrjetës me t’u rikthyer në fushë për Real Madridin, pas një muaji mungesë për shkak dëmtimi, teksa “merenguesit” mposhtën 5-1 Rayo Vallecanon.

Barcelona mbetet sërish 2 pikë prapa kryesuesve madrilenë, falë dy asisteve të Luis Suarez, i cili kontribuoi në 2 golat e shënuar prej shokëve të tij, Neymar dhe Alba, për të përmbysur avantazhin fillestar të Almerias, duke fituar 2-1.

Bale iu deshën vetëm 9 minuta për të shënuar, e më pas do t’i takonte gjermanit Toni Kroos, i cili do të dyfishonte rezultatin dhe do të shënonte golin e parë të tij për madrilenët. Karim Benzema nuk mund të mos linte shenjën e tij pas një forme shumë të mirë që po kalon së fundi, pa harruar këtu të përhershmin Cristiano Ronaldo, i cili shënoi golin e 23-të të këtij sezoni, kjo falë edhe një “gafe” bujare të portierit të Rayos, Cristian Alvarez.

Ndërsa Barça, pavarësisht një performance të shkëlqyer të Suarezit në pjesën e dytë, teksa hyri si zëvendësues së bashku me Neymar, nuk mund ta konsiderojë si një paraqitje shkëlqyese atë të së shtunës, aq më tepër që edhe goli i parë i pësuar nga kundërshtari nisi nga një gabim i yllit të skuadrës, Leo Messi.

Në ndeshjet e tjera të së shtunës në La Liga, Getafe-Elche dhe Celta Vigo-Granada përfunduan në barazime pa gola, ndërsa Malaga përmbysi rezultatin në minutën e fundit, duke mposhtur 2-1 Eibarin.

Top Channel