Superiore, Partizani pëson humbjen e dytë në Korçë

08/11/2014 00:00

Partizani i Shpëtim Duros, me 9 lojtarë, u mund 3-0 në Korçë nga Skënderbeu, duke pësuar humbjen e parë pas 9 javësh në kampionat dhe, sigurisht, duke humbur edhe kryesimin e Kategorisë Superiore.

Përpjekjet e korçarëve për të kaluar në avantazh u shpërblyen në minutën e 30, pas golit të Martins. Më parë, gjyqtari i ndeshjes Laver Alla ndëshkoi me të kuq portierin e Partizanit, Xhikën, por dha një 11-metërsh të gabuar për Skënderbeun.

Portieri i tretë i Partizanit, Gjonikaj, e grushtoi 11-metërshin e Shkëmbit, por gëzimi i 19-vjeçarit zgjati vetëm 1 minutë, pasi 26-vjeçari Martins, i pambuluar nga mbrojtja e Partizanit, shënoi golin e parë për vendasit.

Avantazhi në rezultat dhe epërsia numerike i dha më shumë kurajo skuadrës korçare, e cila dyfishoi rezultatin në minutën e 72-të, sërish me Diego Martins. Dalja me të kuq e Fejzullahut ia bën akoma më të lehtë punën Skënderbeut, që arrin të shënojë edhe golin e tretë me Fatjon Sefën. Sulmuesi i kampionëve në fuqi ia dedikoi golin portierit të Partizanit, Alban Hoxha, i cili po kalon një moment tepër të vështirë familjar, pasi është bërë baba.

Tirana ka arritur të përfitojë nga ky hap fals i Partizanit dhe, falë fitores 1-0 ndaj Vllaznisë, mori dhe kryesimin e Superiores. Autori i golit të bardhebluve është Taku, që shënoi në pjesën e dytë. Fitorja e skuadrës së Maganit ka entuziazmuar tifozët e Tiranës, të cilët për shkak të pezullimit e kanë ndjekur sfidën me Vllazninë në një nga vendet publike të Tiranës.

Surpriza e javës së 12 është skuadra e Elbasanit, e cila mposhti 2-0 Teutën në Durrës. Me nga një gol në secilën pjesë, ekipi i drejtuar nga Dosti ka marrë një fitore ndoshta shpresëdhënëse për javët e ardhshme.

Top Channel