Formula 1, Hamilton apo Rosberg?

07/11/2014 00:00

Dy gara ndajnë nga përfundimi i këtij kampionatit të Formula 1, kampionat në të cilin Mercedes vendosi hegjemoninë e tij që prej fillimit.

Ndërsa për skuderi gjithçka është vendosur dhe Mercedes është shpallur kampion disa javë më parë, për pilotë matematika nuk e ka thënë ende fjalën e fundit.

Por edhe këtu gara zhvillohet brenda llojit. Lewis Hamilton kryeson me 316 pikë, ndjekur nga shoku i skuadrës, Nico Rosberg me 292 dhe dy gara në lojë. 24 pikë diferencë janë të rekuperueshme për pilotin gjerman dhe ai ende shpreson.

“Leëis Hamilton ka zhvilluar gara të shkëlqyera, sidomos gjysmën e dytë të kampionatit dhe unë për këtë e përgëzoj, por megjithatë janë ende dy gara në lojë”, tha ai.

Edhe piloti britanik shprehet i vetpërmbajtur kur thotë se asgjë nuk ka përfunduar, por ndjehet optimist kur shton se “atmosfera është e njëjtë me atë të 2008-ës kur shpallej kampion”.

Nico Rosberg apo Lewis Hamilton? Gjithçka do të vendoset të dielën më 9 nëntor ose dy javë më pas në garën e fundit, atë për Çmimin e Madh të Abu Dhabit.

Top Channel