Klopp: Të përgatitemi për Bundesligën me entuziazmin e Europës

05/11/2014 00:00

Jurgen Klopp është shprehur i kënaqur nga paraqitja e Borussia Dortmund në Champions League, por ka theksuar se kjo formë e treguar në Europë duhet transferuar edhe në Bundesligë, aty ku janë paraqitur tepër të dobët në këto javë të para.

Dortmundi vinte nga 4 humbje radhazi në kampionatin gjerman, për të mposhtur 4-1 Galatasarayn në fushën e vet gjatë së martës, e për të kryesuar grupin D me pikë të plota dhe 5 pikë diferencë nga Arsenali. Së bashku me Real Madridin, ata janë mes 2 ekipeve të para që kualifikohen në fazën e 16-sheve me eliminim direkt.

Për çudi, Dortmundi ka grumbulluar 12 pikë nga 4 takime në Europë, një sasi më e madhe pikësh nga sa kanë grumbulluar në kampionat, me 7 pikë në 10 ndeshje të luajtura. Klopp thotë se vetëbesimi i fituar nga Championsi duhet shfrytëzuar medoemos që nga kjo fundjavë, ndaj Borussia Munchengladbach, në Bundesligë.

“I kam thënë lojtarëve ta shijojnë këtë moment të rëndësishëm. Duhet të marrim gjërat më të mira nga kjo fitore dhe me këtë entuziazëm të përgatitemi gjatë këtyre 5 ditëve për ndeshjen e radhës”.

Sa i përket asaj që u pa ndaj Galatasarayt, Klopp shtoi: “U vërejt një ekip i disiplinuar në fushë, që e kishte të gjithë situatën nën kontroll nga minuta e parë. Mbrojtëm mirë si ekip dhe, qoftë edhe kur nuk funksionoi aspekti taktik, arritëm ta kompensonim me pasion dhe me shënimin e golave”.

Top Channel