Ancelotti: CR7 ka ende kohë për rekordet personale

03/11/2014 00:00

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, këmbëngul se Cristiano Ronaldo është më tepër i fokusuar te plotësimi i kërkesave të klubit, se sa të shkruajë emrin e tij në librat e historisë së Champions League.

Lojtari i përfaqësueses portugeze është vetëm 1 gol larg rekordit të Raul, me 71 gola në kompeticionin elitar për klube në Europë, e nëse të martën Liverpooli do të shfaqet tepër i dobët në prapavijë, siç e ka bërë disa herë deri më tani këtë sezon, janë të gjitha shanset që 29-vjeçari – i cili shënoi edhe në “Anfield Road” dy javë më parë – mund edhe ta tejkalojë Raulin, pikërisht në “Bernabeu”.

As rikthimi i sulmuesit tjetër, Gareth Bale, pas 5 ndeshjesh mungesë për shkak dëmtimi, nuk pritet të tërheqë vëmendjen e sportdashësve nga Ronaldo, por Ancelotti nuk është i shqetësuar për diskutimet mbi momentet e shënuara në histori.

“Cristiano punon fort për veten e tij dhe për ekipin, ashtu sikurse dhe të gjithë lojtarët e tjerë”, tha trajneri italian i kampionëve në fuqi të Europës. “Nuk mendoj se ai mendon për rekordin, ka mjaftueshëm kohë për ta thyer atë. Nuk është ndeshja e fundit e tij kjo me Liverpoolin. Ai në fakt është i fokusuar te të luajturit për ekipin”.

Sa i përket Bale, Ancelotti thotë se “uellsiani është gati të luajë pas dëmtimit, por nuk e di nëse do ta aktivizoj nga fillimi apo si zëvendësues”.

Ndërkohë, një moment të rëndësishëm personal duket se po kalon edhe vet Ancelotti. Pas 1 viti e gjysmë me rezultate të shkëlqyera në Madrid, tekniku italian duket se u ka hyrë në zemër të gjithë madrilenëve. Me Realin ai fitoi “la Decima”-n, por kjo i përket sezonit të shkuar, ndërkohë që në këtë aktualin, Carleto ka mundur të rikthejë në rrugën e duhur “Los Blancos”-it pas 2 humbjeve në 3 ndeshjet e para, teksa tashmë e shohin veten në krye të La Ligës.

Konstrata e tij skadon në vitin 2016, por Florentino Perez i ofron atij rinovimin. Dhe çfarë do të bënte Ancelotti sipas jush pas 11 fitoresh radhazi? “Nëse më duan, do të qëndroj”.

Top Channel