Kur “droni” fluturon mbi UEFA

03/11/2014 00:00

Tifozët shqiptarë vazhdojnë të protestojnë kundër vendimit të UEFA-s për ndeshjen me Serbinë, të humbur në tavolinë me rezultatin 3 me 0.

Kësaj here, sheshi para selisë qendrore të UEFA-s, në Nyon të Zvicrës, u mbush me më shumë se një mijë veta, që kërkojnë drejtësi për dhunën ndaj ekipit kombëtar, të ushtruar më 14 Tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit.

Protesta u organizua nga grupimi i “Tifozëve KuqeZi”, të cilët qëndruan për gati 90 minuta me flamuj të Shqipërisë, pankarta kundër racizmit dhe këngë shqiptare. Por, një tjetër element që ra në sy gjatë protestës, ishte një “dron” në të cilin varej një flamur shqiptar.

Megjithatë, këto ditë, një tjetër lajm që lidhet me shqiptarët ka surprizuar jo pak. Duket se “shqiponja” do të jetë e ndaluar të jetë element feste, kur futbollistët shqiptarë të Zvicrës shënojnë gola.

Bashkimi i duarve në formën e “shqiponjës” nga Pajtim Kasami, kur po festonte për golin e shënuar ndaj Juventusit, bëri që të dilnin kundër tij shumë media greke e të harronin që ai u dha fitoren. Kërkesat për marrjen e masave ndaj lojtarit shqiptar nuk munguan.

Ndërkohë, Granit Xhaka ka festuar sërish me “shqiponjë” kur shënoi për ekipin Borussia Monchengladbach. Kjo ka bërë që Federata zviceriane të lëshojë një deklaratë, ku iu ndalon lojtarëve shqiptarë të Zvicrës ta përdorin atë simbol.

Top Channel