Rosberg: I pari në nisje? Dua të fitoj garën!

02/11/2014 00:00

Nico Rosberg i është përgjigjur në pistën e Çmimit të Madh të Austin sfidës së Hamilton, të lëshuar vetëm pak ditë më parë, duke marrë “pole-position”-in e radhës, edhe pse e di shumë mirë që e rëndësishme është gara e sotme e jo provat zyrtare të ditës së djeshme.

Ky është “pole” i 13 në karrierën e pilotit gjerman të Mercedesit. “Shkoi gjithçka mirë, jam i kënaqur për këtë – ka pranuar gjermani. – Makina kishte një konfigurim të mirë dhe bëra një xhiro thuajse perfekte. Por, ajo që ka rëndësi është gara dhe jo provat, ndaj dhe duhet të përqendrohem te nisja dhe vijimi i garës. Kam shumë besim, sepse edhe të premten kam bërë kohë të mira. ‘Pole’ më kënaq, por unë jam i përqendruar vetëm te fitimi i garave”.

Lewis Hamilton, i cili kishte lëshuar sfidën duke i kujtuar shokut të tij të skuadrës se e ka fituar një herë Çmimin e Madh të Amerikës, nuk është shfaqur i kënaqur pas provave, e megjithatë kërkon durim për të parë se si do shkojë gara e sotme.

“Që në xhirot e para të minisesionit të parë të provave pata një problem një pjesën e përparme nga krahu i majtë. Nuk arrita të rikuperoja sa duhej, pasi vazhdonte të bllokohej. Nuk është gjëja më e mirë që mund të më ndodhë, por ndihem mirë dhe do të përpiqem të shfrytëzoj çdo mundësi që do më jepet”, ka shtuar piloti britanik i Mercedesit.

Top Channel