Serbi-Shqipëri, maratona e ankesave

31/10/2014 00:00

Tifozëve kuqezi dhe Federatës Shqiptare të Futbollit do u duhet të presin më shumë se 25 ditë për të mësuar nëse Komisioni i Apelit do të ndryshojë apo do të lërë në fuqi vendimin e Disiplinës për atë që ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Sipas procedurave të UEFA-s, vendimi i zbardhur i Disiplinës i vihet në dispozion federatave pas kërkesave të këtyre të fundit dhe jo më shpejt se 10 ditë pas marrjes së tij. Të kontaktuar nga Top Channel, përfaqësues të UEFA-s kanë pohuar se të dy federatat kanë depozituar kërkesën për të marrë vendimin e zbardhur.

Pasi ky vendim t’u jepet të dyja federatave, ato kanë të drejtë që brenda 5 ditësh të depozitojnë në zyrat e UEFA-s kërkesën për apelimin e këtij vendimi. Më pas, anëtarët e këtij komisioni, të cilët janë 12 dhe kryesohen nga spanjolli Pedro Tomas, do të marrin kohën e duhur për t’u njohur me çështjen.

Burime të Top Channel në Komisionin e Apelit në UEFA kanë pohuar se pranë tyre nuk ka ardhur ende apelimi. Por, ata janë në dijeni të çështjes së shumëpërfolur, duke refuzuar të komentojnë më tej për shkak se çdo deklaratë mund të shkaktojë problem përpara se Apeli ta shqyrtojë ankimin.

Dy nga pjesëtarët e këtij komisioni kanë theksuar se duhet një kohë e caktuar që Apeli të njihet më me detaje me dosjen dhe ndoshta me faktet e reja që mund të depozitojnë federatat e përfshira në këtë çështje. Burimet i thanë Top Channel se nga momenti që mbërrijnë ankimimet do të duhen të paktën 15 ditë që Komisioni i Apelit në UEFA të mblidhet dhe të japë vendimin për një çështje të caktuar.

Top Channel