Inzaghi: Në “San Siro”, e vështirë për këdo të fitojë ndaj nesh

31/10/2014 00:00

Filippo Inzaghi është justifikuar me lodhjen e ekipit për atë dështim të Milanit gjatë mbrëmjes së mërkurë, kur nuk arriti të mposhtte Cagliarin, por beson se ekipi i tij është i kompletuar mjaftueshëm për t’u ngjitur edhe më tej në renditjen e Serie A.

Ibarbo kaloi në avantazh sardët në “Sant’Elia”, ndërkohë që Giacomo Bonaventura barazoi shifrat brenda pjesës së parë, por më pas asgjë nuk ndryshoi. Një barazim, që e detyron Milanin të ndajë vendet 3-6 me skuadra të tjera si Lacio, Sampdoria dhe Udinese, ndërkohë që në rast fitoreje do të ishte vetëm 4 pikë larg bashkëkryesuesve të Juventusit dhe Romës.

Trajneri Inzaghi fajësoi faktin që ekipit të tij iu desh të luante ndaj një kundërshtari të vështirë, menjëherë pasi kishte luajtur ndaj një ekipi si Fiorentina (të dielën), ndërkohë që sardët patën 1 ditë më tepër për të rikuperuar lodhjen, pas fitores me Empolin (të shtunën).

Duke folur për faqen zyrtare të Milanit, Pippo tha se “Cagliari kishte një ditë më shumë avantazh, shto këtu faktin që ne vinim pas një ndeshjeje të vështirë të dielën. Ne edhe mund ta kishim humbur atë takim në transfertë, e megjithatë kemi marrë 1 pikë të rëndësishme për renditjen. Jemi në vendin e 4, por mendoj se skuadrat e tjera në Serie A vuajnë më shumë se sa ne. Edhe pse mund të kishim bërë më shumë, besoj se ndaj Palermos do të kemi një tjetër shans për të siguruar disa pikë të vyera, pasi do të jetë e vështirë për cilindo të marrë fitore në fushën tonë”.

Top Channel