Lacio, barazim në Verona dhe vendi i tretë

31/10/2014 00:00

Lazio është ngjitur në vendin e tretë të renditjes së Serie A, së bashku me një grup ekipesh të tjera si Milan, Sampdoria dhe Udinese, të gjitha me një distancë prej 6 pikësh nga dyshja kryesuese Juve-Roma, pasi nuk mundi të ruante avantazhin dhe u barazua nga Verona në ndeshjen e fundit të mesjavës.

Senad Lulic shënoi për bardhekaltrit kur kishin mbetur edhe 3 minuta nga mbyllja e pjesës së parë, por Verona ia bëri “jetën” më të vështirë në të dytën, kur dhe mbrojtësi Luis Cavanda u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, në një ndërhyrje që u akordua si 11-metërsh për veronezët.

Sulmuesi veteran i Veronës, Luca Toni, ekzekutoi më së miri penalltinë, duke mposhtur portierin Federico Marchetti në minutën e 69. Megjithatë, vendasit nuk shfrytëzuan siç duhej superioritetin numerik në ato 20 minuta të mbetura, duke e mbyllur takimin në barazim 1-1.

Top Channel