Reali “stërvitet” me amatorët e Cornellas, 4-1

30/10/2014 00:00

Gjithçka e lehtë për Real Madridin në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Kupës së Mbretit.

Të besuarit e Carlo Ancelottit kanë fituar 4-1 ndaj amatorëve të Cornellas, skuadër e kategorisë së tretë spanjolle, duke hipotekuar kështu kalimin e këtij turi.

Në minutën e 10 ka qenë mbrojtësi francez Varane, ai që ka zhbllokuar rezultatin, ndërsa 10 minuta më vonë ka barazuar Munoz për vendasit, një gol që ndoshta do ta mbajnë mend gjatë. Por, ka qenë sërish Varane, ai që ka kaluar në avantazh madrilenët në minutën e 36 të pjesës së parë.

Në të dytën, ndeshja ka pasur thuajse të njëjtën rrjedhë, e për pasojë kanë qenë Chicharito Hernandez (53’) dhe Marcelo (75’), ata që kanë vulosur rezultatin.

Sa për kuriozitet, ky rast ishte i jashtëzakonshëm për amatorët e Cornellas, të cilët në rast se do të fitonin ndaj Realit do të kishin marrë një shpërblim prej 1400 eurosh për çdo lojtar, ndërkohë që paga mesatare vërtitet rreth 700 euro në muaj, edhe pse luajtën në një stadium si “Cornellà-El Prat”, ku zakonisht luan Espanyoli.

Top Channel