Martino “shfuqizon dekretin” e Sabellas, rikthehet Tevez

27/10/2014 00:00

Rezultoi vetëm një iluzion gjatë Shtatorit, kur u njoftua për grumbullimin e tij për sfidën kundër Brazilit, por këtë herë kthimi i Carlos Tevez tek Argjentina është mëse zyrtare.

Trajneri Gerardo “Tata” Martino, pas thuajse 3 vitesh e gjysmë mungesë, ka grumbulluar “apashin”.

Tevez, me përjashtim të ndonjë surprize, do të zbresë në fushë në Angli, në miqësoren kundër Kroacisë të programuar për më 12 Nëntor në Londër, si dhe ndaj Portugalisë, më 18 Nëntor në Manchester. Nuk mund të mungonte Leo Messi, ai që duket se e ka mbajtur larg Carlitosin deri më tani.

Tevez po kalon një moment të shkëlqyer me Juventusin. Një fillimsezoni tepër i mirë, me 6 gola të shënuar në 7 javë, madje është rikthyer të shënojë edhe në Champions League. Shifra që kanë bindur Martinon për ta grumbulluar me “Albicelestet”, duke i dhënë fund përjashtimit të “dekretuar” nga Alejandro Sabella, i cili preferonte më shumë Agueron, Di Marian, Messin dhe Higuain.

Madje, ish-trajneri aktivizoi edhe Palacion, në një minutazh të shkurtër loje, në finalen e humbur ndaj Gjermanisë në Botërorin e Brazilit.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel