Presidenti i “Partizanit”: Serbia fajtore për dhunën me Shqipërinë

27/10/2014 00:00

Vendimi i turpshëm i Komisionit të Disiplinës në UEFA për ndeshjen Serbi-Shqipëri bëri të pakënaqur jo vetëm shqiptarë, por edhe serbët, të cilët donin mbajtjen e 3-pikëshit të fituar në tavolinë.

Mes tyre ka sigurisht edhe zëra kundër, pjesa më e madhe e të cilëve nuk guxojnë ta shprehin hapur mendimin e tyre.

I vetmi që arriti të deklarojë publikisht mendimin e tij, rreth ngjarjeve mbrëmjen e 14 Tetorit është Dragan Gjuriç, presidenti i Partizanit të Beogradit. 60-vjeçari ka shokuar të gjithë opinionin serb, kur pohoi se autoritetet shtetore, së bashku me Federatën serbe, janë fajtorët kryesorë për dhunën ndaj futbollistëve shqiptar.

“Ky është një vendim i njëanshëm i UEFA-s, por autoritetet shtetërore duhet t’i thonë publikut serb arsyen, pse u lejua hyrja në fushë e atyre 100 tifozëve të dehur, me një ultras që doli para 4 vjetësh edhe në stadiumin e Xhenovës. Dikush donte që të ndodhte gjakderdhje dhe nismëtarët janë të njëjtë, me ata që ishin në stadiumin italian”, ka theksuar Gjuriç, duke nënkuptuar djegien e flamurit shqiptar nga Ivan Bogdanov në ndeshjen Itali-Serbi.

Ndërkohë, presidenti i Partizanit të Beogradit zbulon se komisioneri i sigurisë në Federatën serbe i kishte paralajmëruar autoritetet shtetërore se mund të ndodhte diçka, por askush nuk mori masat e duhura.

Federatës i është dërguar nëpërmjet postës elektronike diçka e projektuar më parë në lidhje me këtë ndeshje, por ata nuk vepruan, tha Gjuriç, i cili deklaratën në mediat vendase e mbyll me pyetjen: Kush e urdhëroi policinë të mos jetë brenda stadiumit gjatë ndeshjes?

Një deklaratë e fortë, kjo e presidentit të Partizanit, i cili tashmë është vënë në shënjestër të kritikave, madje herë-herë duke u cilësuar dhe si tradhëtar.

Top Channel