Milani ndalet nga Fiorentina, Juventusi +3 nga Roma

26/10/2014 00:00

Milani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Fiorentinës në ndeshjen e fundit të javës së 8 të Serisë A dhe ka humbur mundësinë të ngjitet në vendin e tretë të renditjes.

Ndeshja nuk ka pasur emocione të mëdha në pjesën e parë, të cilën kuqezinjtë e Filippo Inzaghit e mbyllën në avantazh 1-0 falë golit të Nigel de Jong (25’).

Në pjesën e dytë, skuadra e Fiorentinës rriti presionin në kërkim të golit të barazimit, të cilin e gjeti në minutën e 65 me një goditje nga jashtë zone të Josip Ilicic.

Me këtë barazim, Milani e sheh veten në vendin e 6 të klasifikimit me 15 pikë, ndërsa Fiorentina renditet në vendin e 11 me 10 pikë.

Ndërkohë, Juventusi kthehet të fitojë në Serinë A dhe arrin të shkëputet sërish në
+3 pikë nga Roma e vendit të dytë. Kampionët në fuqi të Italisë, pas
barazimit ndaj Sassuolos dhe humbjes ndaj Olympiakosit, kanë arritur të
fitojnë 2-0 në “Juventus Stadium” ndaj Palermos.

Golat e ndeshjes u shënuan nga Arturo Vidal (32’) dhe Fernando Llorente (64’). Për sulmuesin spanjoll ky ishte goli i tij i parë në këtë kampionat.

Me këtë sukses, bardhezinjtë e drejtuar nga Massimiliano Allegri ngjiten në kuotën e 22 pikëve në krye të renditjes, ndërsa Roma mbetet në kuotën e 19 pikëve.

Në ndeshjet e tjera, Interi mundi në transfertë Cesenën 0-1, Lazio mundi në Romë Torinon me rezultatin 2-1, Napoli shkatërroi 6-2 Veronën, Udinese fitoi 2-0 ndaj Atalantës, ndërsa Chievo u mund në shtëpi 1-2 nga Genoa.

Top Channel