Londër, shqiptari kampion i Kickbox-it

26/10/2014 00:00

Jetnor Pjetri, me origjinë nga Burreli, është shpallur këto ditë kampion i Anglisë në sportin e “Kickbox”-it, një sport i ngjashëm me boksin. Ai ka konkurruar në peshën e mesme 71-75 kg.

Ai ka ecur në gjurmët e vëllezërve të tij, Blerimin dhe Ylber Pjetrit, të cilët kanë qenë kampionë disa herë në këtë sport. Duke folur për Top Channel, Jetnori thotë se ishte shumë krenar kur u shpall kampion i Anglisë.

“Isha shumë krenar dhe, mbi të gjitha, që isha shqiptar. Shumë i kënaqur se kisha edhe klasën time për t’u treguar, pasi ishte një test edhe për ata, që trajneri i tyre u bë kampion i Anglisë, si dhe për t’u thënë se edhe ata mund të bëhen të tillë. Këtë sukses e arrita nga puna që bëja që në fëmijëri dhe ndihma e dhënë nga ‘Shpresa Programme’, me të cilën arrita deri këtu”, shprehet Jetnor Pjetri.

Sportisti shqiptar me banim në Londër thotë se ka ardhur në Britani si emigrant përpara 14 vjetësh dhe, pasi arriti të vendoste kontakte me një nga organizatat më të njohura të komunitetit shqiptar në Britani “Shpresa Programme”, ai arriti të stërvitej dhe, sot e kësaj dite, shërben edhe si trajner për shqiptarët e sapoardhur në Britani, që kanë interes në këtë sport.

Jetnor Pjetri thotë se ai dëshiron të konkurrojë së shpejti për titullin kampion Evrope dhe bote në këtë disiplinë, ku ai i ka fituar të gjitha takimet me “knock-out”.

Gjithashtu, vitin tjetër ai shpreson të fitojë titullin ABA edhe në sportin e boksit dhe të kthehet kështu në sportist profesionist. Ky sportist shqiptar thotë për Top Channel se nuk ka asnjë sponsor dhe kjo ia vështiron stërvitjen.

Jetnor Pjeteri shton se dëshiron të ngrejë lart emrin e sportistëve shqiptarë në bote, ashtu si dhe Gjetan Keta nga Bulqiza, që mbrojti titullin së fundmi në Shqipëri.

Top Channel