Superiore, Kukësi ngjitet në krye

25/10/2014 00:00

Kukësi i Shaqirit fitoi 2-0 duelin me Falmurtarin, rivalin direkt në luftën për titull kampion, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e parë në renditjen e Superiores.

Skuadra verilindore dominoi lojën që nga fillimi deri në fund, krijoi shumë raste por ndërhyrjet e sakta të Ilion Likës bënë që rezultati përfundimtar të mbetej në shifrat 2-0.

Erjon Dushku kaloi kuksianët në avantazh falë çoroditjes së mbrojtjes vlonjate në minutën e ‘36. Vendasit e nisën me sulm edhe pjesën e dytë, ndërkohë që Flamurtari u tregua i pafuqishëm të reagonte, kjo ndoshta dhe nga mungesa e pesë lojtarëve më të rëndësishëm të formacionit bazë.

Në minutën e ‘76, kroati Pero Pejic vulosi dhe fitoren e pestë të kuksianëve në këtë sezon dhe njëkohësisht mori vendin e parë në renditjen e golashënuesve me 5 gola.

Ndërkohë, Skënderbeu u rikthye te fitorja pasi mposhti 3-0 Vllazninë, kriza e së cilës vazhdon të thellohet akoma më shumë.

Dimo me golin e tij mbylli pjesën e parë në avantazhin e korçarëve, ndërkohë që në të dytën Olianika dhe Kristi Vangjeli vulosën fitoren e parë të Skënderbeut pas dy barazimeve radhazi.

Java e nëntë e Kategorisë Superiore do të vazhdojë të dielën me tre sfida të tjera: Laçi-Apolonia, Teuta-Tirana dhe Partizani-Elbasani.

Top Channel