“Marrim 3 pikët nëse politika i qëndron larg çështjes”

25/10/2014 00:00

Komente të shumta pati gjatë ditës së premte vendimi i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i cili i dha një fitore 3-0 në tavolinë Serbisë.

Por, i ftuar në “Revistën e Televizive të Mbrëmjes” Eduard Manushi, drejtues i “Procesit Sportiv”  është shprehur se tashmë ky vendim duhet të gjykohet me logjikë të ftohtë dhe nuk duhet të ngatërrohet me politikën. Por në anën tjetër ai ka thënë se në këtë vendim nuk ka pasur pavarësi të plotë, duke pasur parasysh deklaratat e bëra nga Presidenti i UEFA-s, Platini.

“Ishte një vendim i padrejtë për ne, i cili u paragjykua që në momentet kur Presidenti i UEFA-s deklaroi dy ditë pas ngjarjes, se dënimi do të jetë shembullor si për Serbinë edhe për Shqipërinë. Ai ka kondicionuar maksimalisht Komisionin e UEFA-s. Ky duhet të jetë një komision i pavarur dhe nuk duhet të influencohet. Vendimi duhet parë me gjakftohtësi dhe i duhet bërë një lexim totalisht sportiv. Ne pamë gjyqtarin që e ndaloi ndeshjen jo për koret raciste, jo për degjenerimin e himnit të flamurit, jo për fishekzjarret në fushë, por për dhunimin e fushës. Në këtë moment gjyqtari thotë: ‘Nuk ka kushte për të vazhduar ndeshjen dhe hymë në dhomat e zhveshjes’. Më pas ai thërret Canën duke e pyetur nëse ekipi është në gjendje për të vazhduar ndeshjen. Loriku, bashkë me Dukën, ka diskutuar me ekipin dhe i ka bërë të qartë gjyqtarit se ishte e pamundur të vazhdohej më tej. Ndoshta gjyqtari nuk e kishte parë që përveç huliganëve skuadra u dhunua edhe nga forcat e sigurisë. Në këtë moment gjyqtari nuk mund ta vazhdonte më ndeshjen. Tani ka dy aspekte, në rast se është kjo që sapo thamë atëherë vendimi është absurd dhe i kontestueshëm. Në rast se gjyqtari ka thënë: ‘Duhet të dilni të luani sepse ne mendojmë se ka kushte për ta zhvilluar ndeshjen’. Atëherë ne do e kemi të vështirë për të ndryshuar këtë vendim”, u shpreh Manushi.

Vendosjen e gjobës prej 100 mijë euro për Kombëtaren tonë, Manushi e ka cilësuar totalisht absurde, nëse ajo është vendosur për dronin, pasi sipas tij, nuk ekziston asnjë fakt që ai është komanduar nga një qytetar shqiptar.

Duke folur për shkallën tjetër ku çështja do të apelohet, ai ka thënë se është momenti që politika të distancohet dhe këtë çështje ta ndjekin ekspertë të mirëfilltë.

“Tashmë këtë çështje duhet ta ndjekin juristët dhe jo vetëm ato dy studio të huaja, por edhe juristë të tjerë në Shqipëri. Një anëtar i KAS-it (Apeli në Lozanë) është Arben Rakipi, ish-Prokuror i Shqipërisë. Duhen mbledhur disa juristë të mirë, të largohet politika, emisionet televizive të tregojnë profesionalizëm”.

Në fund të fjalës së tij, drejtuesi i “Procesit Sportiv” është shprehur se 3 pikët do t’i merrte Shqipëria nëse politika do të distancohej nga kjo çështje.

Top Channel