Plisat, protestë kundër UEFA-s

24/10/2014 00:00

Tifozeria e Prishtinës “Plisat” protestuan pasditen e së premtes para ndërtesës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, kundër vendimit të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri.

“Jo racizmit, shakaja e ditës”, “UEFA-MAFIA”, “Thuaji ‘po’ racizmit” ishin disa nga parrullat e protestuesve të shoqëruara me thirrjet “Shqipëri Etnike”.

Si shenjë revolte, “Plisat” hodhën mbeturina brenda oborrit të ndërtesës së BE-së, ku ndër të tjera ishte edhe mesazhi me logo të UEFA-s “Thuaji ‘jo’ racizmit”.

Denis Pitarka, anëtar i kryesisë së “Plisave”, tha se po të ishte vendimi i drejtë, në vend të mbeturinave do të kishte lule.

“Ka pasur mesazhe raciste, fyese, kemi pasur gjuajtje me fishekzjarre, gjithçka kundër rregullave të UEFA-s, dhe të diskutosh sot se kush ka faj më duket absurde. Vendimi është kryekëput politik. Po të kishte qenë ai vendim i duhuri, ndoshta edhe me lule do kishim dalë këtu, por plehrat simbolizojnë atë që sot ishte vendim i UEFA-s. Nuk duhet të fshihemi tashmë pas korrektësisë sonë. Nuk ka kuptim të jemi ne korrektë karshi një vendimi jokorrekt”, është shprehur Denis Pitarka, anëtar i kryesisë së “Plisave”.

Në anën tjetër, reagimet nga politika kanë vazhduar edhe në orët e pasdites.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka deklaruar për një faqe online lajmesh në Kosovë, se “vendimi është politik, sepse më shumë shpreh atë që mendon dikush për Serbinë, Shqipërinë apo edhe për rajonin, se sa për futbollin. Ky vendim do të mund të ishte marrë në ndonjë konferencë politike”, është shprehuar Kuçi për “Telegraf”.

Ndërsa ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se është e rrezikshme për drejtësinë dhe demokracinë, vendosja në barazpeshë e fashizmit dhe racizmit serb me një banderolë, qoftë ajo edhe e “Shqipërisë së Madhe”. “Është padrejtësi e madhe, mbase edhe krim”.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje shprehu qëndrimin se vendimi i UEFA-s favorizon racizmin. “Qëndrimi i UEFA-s i ngjan shumë qëndrimit zyrtar të institucioneve të BE-së ndaj Serbisë, në raport me kombin shqiptar. Ashtu si UEFA në vendimin e saj, BE-së në marrëdhëniet ndërkombëtare i ka munguar vullneti politik për të ndërmarrë masa kundër ekspansionit të trashëgimtarëve të Milosheviçit, që janë sot në krye të shtetit në Serbi”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Top Channel