PD: Vendimi i UEFA, faji i Ramës

24/10/2014 00:00

Ndërkohë, deputeti demokrat Gerti Bogdani fajësoi kryeministrin Rama për vendimin e UEFA-s. “Ndërsa shteti serb u vu në lëvizje, ishte paaftësi e kryeministrit për të lobuar”, tha ai.

“Ndërkohë që kryeministri serb u telefonoi të gjitha kancelarive europiane, të gjithë homologëve të vetë, për të shpjeguar rastin dhe për të luajtur rolin e viktimës, kryeministri shqiptar tentoi të hiqej më europian se europianët duke këmbëngulur që të zhvillonte vizitën në Beograd. Aty ku u vërshëllye himni kombëtar, aty ku u kënduan koret ‘Vritini shqiptarët’, aty ku heronjtë e kombëtares u dhunuan në mes të fushës dhe në sy të të gjithë botës. Ndërkohë që makineria e diplomacisë serbe u vu në lëvizje menjëherë pas zhvillimit të ndeshjes dhe i mbushi ndërkombëtarët dhe mediat e tyre me shtrembërim faktesh, kryeministri ynë u mjaftua vetëm me disa rreshta në Twitter dhe në Facebook. Ky vendim vlerëson dhunën dhe racizmin, por gjithashtu vlerëson edhe qëndrimin e Ramës, i cili këmbënguli për vizitën në Beograd, dhe nuk e denoncoi fuqishëm këtë akt, sikur të mos kish ndodhur asgjë e sikur të kishte barazi mes palëve. Ndaj e kishte të lehtë UEFA të vendoste këtë shenjë barazie”, u shpreh Gerti Bogdani.

Top Channel