Zemërimi i shqiptarëve ndaj UEFA-s

24/10/2014 00:00

Mbase si asnjëherë tjetër faqja zyrtare e UEFA-s në Facebook nuk ka marrë kaq shumë komente ku kryefjala e tyre është “UEFA say yes to Racism” (UEFA, thuaji po racizmit). Mbi 26,000 komente janë shënuar në këtë faqe pas vendimit për atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit.

“Ekipi shqiptar është dënuar pasi disa karrike plastike në fushë u dëmtuan nga pushtuesit e fushës me të cilat supozohej të dëmtoheshin lojtarët shqiptarë. Cfarë vendimi qesharak”, shkruan një komentues, ndërsa një tjetër thotë se tashmë “UEFA ka treguar se është totalisht e korruptuar”.

Ndërsa një tjetër thotë se “UEFA gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet qesharake”: “Ju u përpoqët t’i tregonit botës se nuk e toleroni racizmin, por më 24 tetor 2014 ju i treguat botës se racizmi në futboll është OK”.

Sipas komentueses Alida Karakushi, “në një botë tjetër ku dominon drejtësia, të gjithë futbollistët anembanë botës duhet të organizoheshin dhe të nisnin një grevë të përgjithshme”.

Ndërsa Rezeart Agolli shkruan se “UEFA e vrau lojën e Fair Play-it duke i thënë po huliganizmit në stadium. Bravo ju qoftë dhe vijoni në këtë mënyrë!”

Top Channel