Iniesta: ‘El Clasico’, më shumë se një ndeshje e radhës

23/10/2014 00:00

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, është shprehur se sfida e parë “El Clasico” e këtij sezoni, të shtunën në “Bernabeu”, vlen më shumë se sa 3 pikë.

Katalanasit e Luis Enriques nuk e njohin ende humbjen këtë sezon, duke kryesuar La Ligën dhe në rast të një fitoreje do të rrisnin distancën në 7 pikë ndaj rivalëve të betuar të Real Madridit, në vetëm 9 ndeshje të kampionatit spanjoll.

Iniesta pranon se fitorja do të japë edhe një shtysë të mëtejshme psikologjike. “Nuk është thjesht një ndeshje e radhës dhe nuk do të jetë kurrë e tillë. Një sfidë e tillë të bën të ndihesh madhështor”, tha lojtari i përfaqësueses spanjolle, gjatë një konference për shtyp të së enjtes.

“El Clasico është gjithnjë një betejë, por në terma sportivë. Duhet të japësh më të mirën në çdo aspekt për ta fituar atë. Duhet të shkojmë në Madrid me mentalitetin për të fituar, jo të mendojmë se çfarë do të ndodhë më tej, çfarëdo që të ndodhë. Kjo do të ishte një gabim i madh. Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e luftueshme. Reali ka një potencial të madh dhe asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të shkosh atje e të fitosh”.

Luis Suarez është gati të bëjë debutimin e tij të shumëpritur, duke qenë se deri më tani ka shlyer dënimin 4-mujor për shkak të kafshimit ndaj Chiellinit në Botërorin e Brazilit.

Top Channel