Në pritje të vendimit të UEFA-s

23/10/2014 00:00

Vetëm pak orë përpara marrjes së vendimit nga Komisioni i Disiplinës i UEFA-s, Artan Hajdari, përfaqësuesi ligjor i Federatës Shqiptare të Futbollit, hedh dritë mbi provat në të cilat do mbështetet mbrojtja e Shqipërisë përpara UEFA-s.

Hajdari u shpreh se dosja e përgatitur në bashkëpunim me një studio ligjore angleze dhe një zvicerane, ka përmbledhur të gjitha faktet që mbrojnë Federatën Shqiptare të Futbollit nga dy akuzat e ngritura nga UEFA.

Pandi Gjata: Ju jeni përfaqësuesi ligjor i FSHF, por për këtë çështje kaq të rëndësishme kanë kontribuuar edhe dy studio të tjera të huaja, një britanike dhe një zvicerane. Por mediat greke kanë folur edhe për zyrën e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

Artan Hajdari: Jo, ky është një spekulim. Ne jemi avokatët lokalë dhe ne kemi dirigjuar në kuptimin profesional juridik mbrojtjen që është paraqitur tashmë në Komisionin Disiplinor të UEFA-s, së bashku me dy studio shumë profesionale, të cilat janë të specializuara në fushën e drejtësisë sportive, një angleze dhe një zvicerane dhe nuk është ajo që është përmendur nga mediat greke.

Pandi Gjata: Ky bashkëpunim edhe me dy studio të njohura çfarë produkti solli për t’u mbrojtur në UEFA?

Artan Hajdari: Solli një produkt juridik shumë profesional, këtë e deklaroj me bindje. Është punuar me një intensitet shumë të lartë deri sa e paraqitëm. Gjej rastin të falenderoj të gjitha mediat, të gjithë njerëzit sportdashës që na kanë ndihmuar me sjelljen e provave, të cilat ne i kemi montuar në mënyrë të tillë që të bindim UEFA-n për atë që ne kërkojmë.

Pandi Gjata: Cilat mendoni se janë çështjet të cilat ne na favorizojnë, apo ‘armët e forta’ të Shqipërisë në këtë dosje?

Artan Hajdari: Ne akuzohemi për dy momente, “refuzimi për të luajtur ndeshjen” dhe “banderola e paligjshme”. Pala serbe ka 6 akuza të tjera, të cilat janë të rënda, por ne nuk merremi me palën serbe dhe ne duhet të argumentojmë që akuzat tona nuk qëndrojnë.

Pandi Gjata: Ku është argumenti i palës shqiptare për akuzën për mosrikthim në lojë?

Artan Hajdari: Kjo akuzë duhet kuptuar mirë nga publiku, pasi është delikate. Qëllimi i futbollit dhe i organizatave të tij, siç është UEFA apo FIFA, është që ndeshja të përfundojë brenda 90 minutave. Duhet të jenë shkaqe tejet të rënda, objektive dhe subjektive, të cilat çojnë në pamundësi për zhvillimin e ndeshjes. Kombëtarja shqiptare ishte e pabarabartë në fushë me kombëtaren serbe në momentin e incidentit dhe nuk mund të ktheheshin më në fushë. E para është dhuna psikologjike. Janë parë të gjitha koret raciste të cilat e kanë shoqëruar delegacion shqiptar që prej momenti të zbritjes në aeroport. Në momentin që ekipi doli në fushën e lojës ka pasur thirrje raciste, si ‘i vrisni shqiptarët’ dhe thirrje të tjera të karakterit politik, të cilat janë të ndaluara në një ndeshje futbolli. Ne akuzohemi për fluturimin e një droni, po flamujt që kanë qenë brenda në stadium? Ne nuk kishim tifozë, por ata të ‘ftuar’ që ishin të pranishëm nuk kishin asnjë simbol pasi u kontrolluan. Edhe dikush që kishte një shall nuk u lejua dhe kjo u bë arsyeja që u mbajtën në aeroport rreth dy orë.

Pandi Gjata: Dy termat ‘refuzuar’ apo ‘abandonuar’, a kanë ndryshim në gjuhën e jurisprudencës?

Artan Hajdari: Nga pikëpamja e drejtësisë sportive është një dispozitë konkrete, e cila thotë se ‘refuzimi për t’u luajtur’, duhet të ketë filluar loja ose ekipi pretendon të futet në fushë dhe refuzon të hyjë në fushë ose është ndërprerë loja, siç ndodhi edhe në Beograd dhe duhet të futet në fushë për të luajtur sërish. Problemi është se këtu kanë ndodhur një sërë ngjarjesh dhe janë dy histori të cilat duhen ndarë. Deri në momentin që nuk kishte fluturuar droni dhe në momentin që shpërtheu dhuna. Sidomos dhunë psikike që është përdorur ndaj futbollistëve tanë. A mund të luhet në kore të tilla raciste? Shumë lojtarë të ekipit tonë kombëtar që kanë shtetësi shqiptare, por për shkak të origjinës së tyre njohin edhe fjalët e tyre. Curri kupton shumë mirë gjuhën e tyre. Të gjithë e kanë marrë mesazhin që përcjellin ato kore raciste, të cilët nuk lejohen absolutisht. Në dijeninë time, UEFA ka një hetim për këtë. Ne ditën e hënë pasi montuam provat bëmë një kërkesë që të fillojë hetimi, në rast se nuk ka filluar, në lidhje me koret raciste. Kjo duhet të jetë një nga pikat ku mendoj që UEFA do të ndalet edhe pas marrjes së vendimit. Megjithatë pjesët e koreve raciste janë edhe pjesë e mbrojtjes sonë sepse ato sollën edhe dhunën psikologjike.

Pandi Gjata: Besoni që argumentat e paraqitura nga pala shqiptare do të merren parasysh? Pasi tashmë kjo ngjarje i kaloi kufijtë e sportit, prej 10 ditësh ka kaluar në një çështje politike.

Artan Hajdari: Unë merrem me argumentat sportivë dhe nuk do të doja që të hyja në emocione të tjera apo të bëja deklarata të tjera. Absolutisht është një çështje sportive dhe kur futen në lojë argumentat juridikë dhe avokatët për të bërë mbrojtjen duhet të përqendrohen patjetër në argumentat juridikë. Në këto argumenta unë mendoj se jemi shumë të fortë dhe jam shumë optimist.

Pandi Gjata: Cilët do të jenë njerëzit që do të marrin këtë vendim?

Artan Hajdari: Është një panel, i cili funksionon si Komisioni i Disiplinës në çdo federatë dhe modeli është UEFA. Ky panel quhet Trupi Disiplinor dhe i Etikës dhe është i përbërë nga persona që e njohin mirë drejtësinë sportive dhe kanë një përvojë të madhe në çështje të tilla.

Pandi Gjata: Si është procedura e vendimmarrjes së tyre?

Artan Hajdari: Paneli është i përbërë nga 4 persona, të cilët do të mblidhen dhe do ta diskutojnë problemin duke marrë parasysh nga njëra anë akuzën e ngritur nga secila federatë dhe mbrojtjen me provat e paraqitura. Nuk ka pjesëmarrje të avokatëve. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë spekulime se kush do të shkojë, por nuk do të ketë. Drejtësia sportive nuk funksionon si drejtësia normale.

Pandi Gjata: Kjo procedurë a mund të lërë hapësirë për padrejtësi?

Artan Hajdari: Jo, sepse pavarësisht argumentave që dërgon secila palë, UEFA bën hetimin e saj, ka inspektorë të cilët grumbullojnë të gjitha provat. Ata mund të kenë prova edhe më shumë se këto që kemi ne. Megjithëse me provat filmike që kemi paraqitur ne, një minutazh prej 16-17 minuta janë përmbledhur faktet në mënyrë kronologjike.

Pandi Gjata: Zoti Duka u shpreh se “presim më të mirën e mundshme, presim 3 pikëshin, por në rast se nuk do të marrim atë që presim kemi edhe një plan B”. Cili është ky plan?

Artan Hajdari: Në fakt ne kemi kërkuar që të marrin 3 pikëshin në tavolinë dhe për avokatët dhe dy studiot do të ishte sukses profesional. E dyta si tifoz, si qytetar, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit marrje e 3 pikëshit do të na gëzonte pa masë dhe do të na hapte një rrugë për të provuar ëndrrën e madhe. Nëse do të ketë një vendim që nuk do të kënaqi palën tonë mund të shkojmë në Komisionin e Apelit.

Pandi Gjata: Sa kohë merr apelimi?

Artan Hajdari: Drejtësia sportive është shumë e shkurtër. Kjo mund të bëhet brenda javës ose dy javëve, varet nga koha që ata kanë në dispozicion apo edhe nga provat që do të kenë në dispozicion.

Pandi Gjata: A besoni ju se pas pak orësh do të marrin 3 pikëshin në tavolinë?

Artan Hajdari: Shpresoj sepse të them që do ta marrin 100 për qind do të ishte jo profesionale. Unë besoj që do të jetë një lajm pozitiv. 

 

Top Channel