Duka: I sigurt se do të marrim tre pikë

22/10/2014 00:00

Pak orë nga marrja e vendimit për ngjarjen e rëndë të 14 tetorit, presidenti i FSHF-së Armando Duka, në një intervistë ekskluzive për Top Channel tregon gjithçka pret nga drejtësia sportive e UEFA-s.

Edhe pse ndodhet në Zvicër sëbashku me këshilltarët dhe avokatët e huaj që do të na përfaqësojnë, presidenti Duka sqaron edhe një herë se prania e tyre në këtë komision disipline është e tepërt.

“Ne nuk duhet të ishim fare në këtë komision. Në Komisionin e Disiplinës duhet të ishte Serbia dhe rezultati duhet të ishte në favorin tonë, pa pasur nevojë fare për këtë komision”, shprehet Duka.

Presidenti sqaron edhe një herë se të gjitha relacionet e zyrtarëve të ndeshjes kanë qenë në favorin tonë, pasi të gjitha shkruajnë gjithçka ndodhi për ndërprerjen e ndeshjes dhe më pas pamundësinë për t’u riluajtur. Ndërkohë që fjalisë së gjyqtarit që mund të rifuteshin në fushë, presidenti thotë se gjithçka ka qenë e qartë për pamundësitë e shumta që kishim për t’u rikthyer në fushën e lojës. Por, nëse mbetemi tek sporti, presidenti Duka është i bindur se ne do të marrim 3 pikët.

“Jam i sigurtë që do të jetë një gjykim i bazuar në rregullore. Nuk mendoj gjë tjetër përveçse një rezultat në tavolinë për ne. Nëse vendimi do të ndikohet politikisht, atëherë unë nuk mund ta parashikoj politikën”, theksoi presidenti i FSHF-së.

Megjithatë, për çdo rast, pala përfaqësuese e Shqipërisë në Komisionin e Disiplinës së UEFA-s e ka një plan B: “Apelim në Komisionin e Apelit në UEFA.”

Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Michel Platini, vazhdon të mbajë të akullta marrëdhëniet me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që vetë Duka thotë se me sa ka lexuar mes rreshtave të deklaratave të Platinisë, ai nuk ka mbajtur një kah të caktuar, thjesht është distancuar nga dhuna dhe ka mborjtur institucionin që përfaqëson.

“Me Platininë nuk kam pasur kontakte. Thjesht kemi dorëzuar në mënyrë institucionale në UEFA dokumentat tona”, shpjegon zoti Duka.

Por, a mund të konsiderohet ende Mishel Platini një mik i shqiptarëve dhe i presidentit tonë pas kësaj ngjarjeje dhe pas qëndrimeve të tija publike, ku mes dhunës së Beogradit ka përfshirë edhe përfaqësuesen tonë?

“Nuk është i njëanshëm në këtë çështje, nuk më shkon në mendje kjo gjë. Mendoj se interesi i tij është të jetë i paanshëm pasi ai kërkon mbarëvajtjen e garës. Raportet mbeten si më parë”, theksoi Duka.

Top Channel