Messi: S’ka rekord më të mirë se të mposhtësh Realin

22/10/2014 00:00

Katër herë fituesi i “Lojtari më i mirë i Vitit”, Lionel Messi është shprehur se fitorja në “El Clasico”-n e parë të këtij sezoni kundër Real Madridit, këtë të shtunë, është shumë më e rëndësishme se sa lavdia personale e të qenit golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në La Liga.

Messi është vetëm një gol pas rekordit të regjistruar prej Telmo Zarras me 251 gola në total, një rekord që nuk është thyer që prej vitit 1955, dhe mund të futet në librat e rekordeve sërish në tokë rivale, pasi Barcelona do të përpiqet të konsolidojë kryesimin prej 4 pikësh ndaj “Los Blancos”-ve në “Santiago Bernabeu”.

Gjithsesi, argjentinasi iu bashkua trajnerit Luis Enrique duke hedhur poshtë rëndësinë e ndeshjes sa i përket garës për titull, duke qenë se janë luajtur vetëm 8 ndeshje të këtij sezoni. “Kjo është një El Clasico dhe është gjithnjë bukur të luash në një ndeshje të tillë, por ajo nuk do të vendosë për asgjë”.

“Kemi ende shumë rrugë për të bërë përpara, e megjithatë ne do të luajmë për fitore si gjithmonë. Rekordi është më pak i rëndësishmi. Gjërat kryesore janë që ne të luajmë mirë dhe të fitojmë”, tha “pleshti”.

Messi, së bashku me Neymar dhe Andres Iniesta, janë zëvendësuar gjatë pjesës së dytë të ndeshjes Barcelona-Ajax, të fituar nga katalanasit, pasi trajneri Luis Enrique synonte t’i ruante më të freskët për ndeshjen në transfertën e “Bernabeut” në fundjavë.

Diçka kontroverse është raportuar nga fundjava e kaluar, kur Messi u duk se refuzoi kërkesën e Enriques për t’u zëvendësuar gjatë fitores 3-0 ndaj Eibarit, por Messi këmbëngul se është gjithnjë trajneri, ai që thotë fjalën e fundit mbi zëvendësimet.

“Kam dëgjuar atë që është folur, por ai është trajneri dhe mund të më zëvendësojë edhe mua kur e shikon të arsyeshme. Për mua nuk ka asnjë problem”.

Messi dhe Neymar kanë rezultuar eficentë në 19 nga 28 golat e shënuar nga ekipi i tyre në këtë sezon, duke e bërë sulmin e Barcelonës një nga më të frikshmit në botë, duke ditur se nga kjo fundjavë në “Bernabeu” do të mund të luajë edhe Luis Suarez, në atë që do të jetë edhe debutimi i parë i tij pas pezullimit prej 4 muajsh për kafshimin ndaj Chiellinit në Botërorin e Brazilit.

Top Channel