FIA ngre komisionin hetimor për aksidentin e Bianchit

21/10/2014 00:00

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit e ka marrë shumë seriozisht aksidentin e francezit Jules Bianchi dhe për këtë arsye ka ngritur një komision që do të hetojë deri në fund atë që ndodhi në Cmimin e Madh të Japonisë.

Komisioni do të përbëhet nga emra të shquar të Formulës 1 si Ross Brawn (ish-shef i Mercedesit dhe Ferrarit), Stefano Domenicali (i shkarkuar në prill nga detyra e shefit të Ferrarit), Emerson Fittipaldi (dy herë kampion bote në F1) apo Alex Wurz (ish-pilot dhe aktualisht president i Shoqatës së Pilotëve).

Këtyre emrave do i bashkohen Eduardo de Freitas (drejtor gare në Botërorin e Rezistencës), Roger Peart (president i komisionit të pistave), Antonio Rigozzi (gjykatës i Gjykatës Ndërkombëtare të Apelit të FIA-s) dhe Gerard Saillant (president i Institutit të FIA-s dhe president i Komisionit Mjekësor).

Kreu i komisionit hetimor do të jetë Peter Wright, president i Komisionit të Sigurisë së FIA-s.

Jules Bianchi u aksidentua rëndë në cirkuitin e Suzukës dhe ndodhet në gjendje kome në spitalin e Jokaiçit.

Top Channel