Pep-Robben: Roma nuk meriton të luajë në Serie A

20/10/2014 00:00

Në prag të sfidës së madhe në “Olimpico”, Pep Guardiola zgjedh të mbajë një profil të ulët, duke vlerësuar kundërshtarin.

“Është kënaqësi të shohësh Romën të luajë, si spektator. Nuk e kemi parë vetëm në Champions, por edhe kundër Chievos të shtunën. Shpresoj që të mos vuajmë shumë në përballjen direkte”.

Po ashtu, duke i thurur lavde, është shprehur edhe Robben, por këtë herë me një “sulm” ndaj futbollit italian. “Roma luan shumë mirë për të qenë skuadër italiane”. Ndërkaq, Muller ngre në piedestal Tottin, duke e quajtur “një legjendë”.

“Roma është një sfidë e vështirë për ne – ka shpjeguar trajneri spanjoll i Bayernit. – Ai që do të fitojë nuk do të kualifikohet, pasi janë edhe 12 pikë në lojë. E kam thënë gjithmonë se ky grup do të vendoset në minutën e fundit, do të jetë një rast i mirë për të testuar formën tonë të mirë”.

Sa i përket trajnerit koleg, Garcia, Pep ka thënë: “Nuk është e lehtë për një të huaj që të shkojë diku tjetër dhe t’u imponojë idetë e tij. Ai në fakt ia ka dalë mbanë. Besoj se në vitet e fundit Conte ka bërë një punë të pabesueshme me idenë e imponimit të futbollit nga mbrojtja. Edhe Roma mbrohet, ndaj dhe skuadrat janë në krye”.

Holandezi Robben, një nga yjet e bavarezëve, ka shtuar: “Futbolli i tyre është tërheqës, u bëj komplimente të gjithëve. Fakti që ne dhe City shihemi si pretendentë për të kaluar grupin është për shkak se ata mundojnë në këtë kompeticion prej vitesh. Por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi gjithçka mund të ndodhë”.

“Nuk e dimë se si do të sillet Roma. Do të adaptohet me stilin tonë të lojës, apo do të vazhdojnë të sillen me filozofinë e tyre të futbollit. Sigurisht duhet t’u përgjigjemi edhe ne në varësi të sjelljes së tyre. Ata kanë kualitete si në sulm, edhe në mbrojtje”.

Top Channel