Liverpool, Rodgers: Ronaldo, përtej standardeve

20/10/2014 00:00

Trajneri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, këmbëngul se ekipi i tij nuk duhet të jetë i fokusuar vetëm te ndalimi i Cristiano Ronaldos, në përballjen e kësaj mesjave me “Los Blancos”, pasi Real Madridi ka kualitete të mjaftueshme për t’i goditur ata edhe pa yllin portugez.

Sulmuesi tjetër anësor i Realit, Gareth Bale, pritet të mos aktivizohet për shkak të një dëmtimi, i cili e la atë jashtë skuadrës edhe gjatë fitores 5-0 ndaj Levantes në La Liga, por Ronaldo do të marrë padyshim fokusin kryesor në përplasjen e së mërkurës në “Anfield”, për grupin B.

Portugezi vjen në këtë takim pasi theu rekordin 71-vjeçar të La Ligas, duke shënuar 15 gola në 8 sfidat e para të sezonit dhe, ndërkohë që talenti i tij nuk mund të nënvlerësohet, Rodgers thekson se do të jetë e pakuptimtë të fokusohen vetëm tek ai.

“Ai është një lojtar përtej standardeve. Evoluimi i tij gjatë viteve të fundit, mënyra se si është bërë një golashënues tepër frutdhënës, kanë qenë të jashtëzakonshme”, tha Rodgers për gazetën spanjolle “AS”, në një intervistë ku mohoi të synonte afrimin e ndonjë lojtari spanjoll në merkaton e dimrit, pas interesimit për Victor Valdes pak kohë më parë.

“Duhet të dimë se si ta ndalim atë, por ekziston një rrezik po aq i madh edhe nga lojtarët e tjerë kundërshtarë në fushë. Për Realin luajnë Luka Modriç dhe Toni Kroos gjithashtu, lojtarë me një teknikë të mrekullueshme dhe që mund të luajnë me pasime të shkurtra e të gjata. Admiroj gjithashtu edhe Sergio Ramos, që kur luante te Sevilla, e deri sa mbushi plot 100 ndeshje për kombëtaren e Spanjës”.

“Merenguesit janë një ekip i fortë, ashtu siç kanë qenë prej shumë kohësh. Kanë gjithçka të nevojshme; eksperiencën, lojtarë të mëdhenj, shpejtësi, teknikë, si dhe një trajner të madh si Ancelotti, një person i jashtëzakonshëm që di të punojë me lojtarët, por edhe tepër karizmatik. Në fund të fundit ata janë kampionët në fuqi, ndaj dhe do të kërkojnë të mbrojnë titullin”.

Top Channel