Historiku i dhunshëm i tifozëve serbë

17/10/2014 00:00

Shfaqja e huliganizmit serb në ndeshjen Serbi-Shqipëri ishte vetëm eposiodi i fundit i një sërë aktesh vandale të kryera nga tifozeria serbe, akte që kanë shkuar deri në vrasje.

Episodi i parë i dhunës që do të bënte xhiron e botës ishte ai i 13 majit 1990, ku në ndeshjen e Ligës së ish-Jugosllavisë mes Dinamos së Zagrebit dhe Crvena Zvezdës së Beogradit, tifozët zbritën në fushë dhe nisën të qëllonin lojtarët. Mes tyre edhe yllin e futbollit kroat, Zvonimir Boban. Në atë kohë, Boban i cili mbronte ngjyrat e Dinamos së Zagrebit është fotografuar teksa qëllonte një polic, duke iu përgjigjur sulmit të këtij të fundit me shkop gome.

Incidentet kanë vijuar pothuajse gjatë gjithë historisë pas shkrirjes së ish-Jugosllavisë, ku kryesisht kanë qenë përballjet mes klubeve të Serbisë me ato të ish-vendeve të Jugosllavisë që kanë prodhur më shumë incidente. Vlen të kujtohet këtu ngjarja e 2 dhejtorit 2007 në ndeshjen mes Crvena Zvezdës dhe Hajduk Kulës, ku një oficer policie mbeti i plagosur.

Një vit më vonë, më 14 prill 2008, një tifoz u vra gjatë përleshjeve mes tifozëve të Partizanit të Beogradit dhe atyre të FK Vojvodinës.

Por, ngjarja më e rëndë në arenën ndërkombëtare për huliganët serbë do të regjistrohej më 17 shtator 2009, në përballjen mes Partizanit të Beogradit dhe Tuluzës së Francës, ku pas një sulmi të huliganëve serbë, mbeti i vrarë një tifoz francez.

Një vit më pas do të shënohej dhe një nga incidentet më të rënda ndërkombëtare. Më 12 tetor 2010, në ndeshjet kualifikuese për Euro 2012, tifozët serbë shkatërruan stadiumin e Xhenovës në përballjen mes Serbisë dhe Italisë. Aty u bë i njohur dhe huligani serb Ivan Bogdanov, fotot e të cilit bënë xhiron e botës duke djegur flamurin shqiptar në stadiumin e Xhenovës. Vetëm pas 6 minutash, ndeshja mes Italisë dhe Serbisë u ndërpre dhe UEFA për shkak të ngjarjeve të ndodhura në shkallët e stadiumit, vendosi t’i jepte 3 pikët në tavolinë kombëtares italiane.

Vetëm pak ditë pas kësaj ngjarjeje, lojtarët U-21 të Serbisë dhunuan në Beograd kundërshtarët e tyre anglezë në ndeshjen kualifikuese për Euro 2013 për U-21.

Sjellja e tifozëve serbë në të gjitha stadiumet e Europës ka detyruar dhe qeverinë angleze që në vitin 2012 t’i drejtohet UEFA-s për të ndëshkuar Federatën Serbe për sjelljet huligane të tifozëve, por edhe të lojtarëve serbë.

Top Channel