“Ivani i tmerrshëm, i qetë në fushë”

17/10/2014 00:00

Mbrëmjen e së martës, një ndeshje nisi në Beograd, por nuk arriti të përfundonte.

Ndeshja kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë u braktis në gjysmën e parë të lojës, pasi “droni” me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” u shndërrua në shkëndijën që përflaku atmosferën e ngarkuar me tension, duke përfunduar në përplasje të dhunshme mes lojtarësh, tifozësh e punonjës shërbimi të stadiumit.

Prej skenave tronditëse, prestigjiozja britanike “the Guardian” thekson si më të rëndën goditjen e Balajt me karrige nga një tifoz serb. Por, mes gjithë asaj rrëmuje – shkruan gazeta britanike, – në mesin e të gjithë atij kaosi që pushtoi fushën, qëndronte edhe një fytyrë shumë familjare

Nuk është se bëri ndonjë gjë të madhe, por vëmendjen e medias botërore e tërhoqi gjithsesi. Emri i tij është Ivan Bogdanov, apo “Ivani i tmerrshëm” siç e quajti shtypi italian, kur Tetorin e 2010-s çau gardhin rrethues që ndante mbështetësit e kombëtares serbe nga mikpritësit e tyre italianë, në stadiumin “Luigi Ferraris” të Xhenovës, gjatë një tjetër kualifikueseje të braktisur.

Më tmerruese se sa figura e tij ishte qetësia me të cilën huligani serb kryente çdo veprim. Nga policia nuk kishte aspak frikë, e dukej qartë se për pasojat as që i bëhej vonë, ndërsa nxiste tifozët serbë në akte dhune.

Më vonë u mësua se ai incident ishte planifikuar që përpara, se Bogdanov dhe miqtë e tij kishin mbërritur në Xhenova tri ditë përpara ndeshjes dhe, disa minuta përpara se lojtarët të zbrisnin në fushë kishin arritur të hipnin në autobusin e skuadrës serbe, ku ishin grindur me portierin Vladimir Stojkoviç, i cili kishte lëvizur disa muaj përpara ngjarjes nga Ylli i Kuq (Crvena Zvezda), klubi i mbështetur prej Bogdanovit, te kundërshtari i madh Partizani.

Plot teori pasuan incidentet dhe motivin e vërtete të tyre. Ultrasit serbë, sidomos ata të Yllit të Kuq, janë të shumtë e të mirëorganizuar, por rrallëherë e ndjekin nga pas kombëtaren e vet. Media spekuloi se Bogdanovi dhe miqtë ishin paguar për të ndaluar ndeshjen e Xhenovës.

Asokohe u fol deri për lidhje të mundshme me ekstremistët e djathtë në Serbi, të cilët nuk e donin afrimin e vendit me Bashkimin Europian. Të tjerë thanë se ishte një përpjekje për të rrëzuar presidentin jo popullor të Federatës Serbe të Futbollit.

Pas kohës së kaluar në burg, Ivani, në pjesën më të madhe të stadiumeve europiane, nuk do të shkelte më në fushë, por në Serbi nuk funksionon kështu – thotë “the Guardian”. Reagimi i publikut megjithatë ka qenë përgjithësisht pozitiv: shumica e njerëzve që komentuan në Twitter e Facebook janë shprehur të tronditur nga prania e Bogdanovit në fushë, e thuajse unanimisht kanë reaguar me neveri.

Top Channel