Aksidentohen rëndë 5 adoleshentë

17/10/2014 00:00

Një aksident me pasojë plagosjen e pesë adoleshentëve ka ndodhur mesditën e së premtes në aksin rrugor Elbasan-Peqin.

Një 14-vjeçar që ka qenë në drejtimin e mjetit me targa italiane “CA 717 TN” për pak sa nuk i ka marrë jetën 4 bashkëmoshatarëve të tij dhe vetes.

Ndërkohë që duhet të ishin në bankat e shkollës, të pestë kanë menduar të udhëtojnë nga Peqini drejt Elbasanit, me një mjet tip “Fiat Punto”, i cili ende nuk dihet se në pronësi të kujt ishte.

Policia sqaron se pesë djemtë kanë marrë fraktura në pjesë të ndryshme të trupit, por gjendja e tyre shëndetësore nuk është në rrezik për jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivë të policisë rrugore si edhe ekspertë të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e aksidentit.

Paraprakisht mendohet se shpejtësia e madhe dhe drejtimi i mjetit nga 14-vjeçari pa leje drejtimi kanë qenë shkaktarë të aksidentit.

Dy prej të plagosurve janë dërguar në spitalin e Tiranës pasi gjendja e tyre paraqitet më e rëndë, ndërsa tre të tjerët po marrin mjekimin në spitalin e Elbasanit.
 

Top Channel