Suarez “kërcënon” Realin: Jam gati!

16/10/2014 00:00

“Jam gati të debutoj në ‘Bernabeu’, kundër rivalëve tanë historik”.

Këto janë fjalët e uruguajanit Luis Suarez, i cili duket se ka nisur numërimin mbrapsht, deri në debutimin e tij me fanelën “blaugrana” të Barcelonës, të shtunën e 25 Tetorit, ndaj Real Madridit.

Pikërisht në atë ditë do të mbarojë edhe skualifikimi i 27-vjeçarit të transferuar nga Liverpool, skualifikim i dhënë për atë kafshim ndaj Chiellinit në Botërorin e fundit.

“Do të bëj gjithçka të mundshme, që është në dorën time, për të qenë në atë ndeshje – ka thënë Suarez, siç citohet nga sportivja spanjolle ‘Marca’. – Duhen edhe 9 ditë deri atëherë. Nëse do ma kishit kërkuar një javë më parë, do të thoja se isha 100 përqind i sigurt, por në fakt do të gënjeja. Gjithsesi, pasi kam luajtur këto dy ndeshje me Uruguajin ndihem mirë dhe sot mund të them se po, jam 100 përqind gati për të luajtur”.

Suarez ka shtuar në fund se është transferuar te klubi “ku ka dashur gjithmonë të jetë”.

Top Channel