The Sun: Guardiola ëndërron United

16/10/2014 00:00

Pep Guardiola duket se ka ndërmend t’i thotë lamtumirë Bayern Munchen. Ende nuk dihet se kur, por siç shkruan “The Sun” trajneri katalanas i është vetofruar Manchester United, duke e cilësuar këtë si një ëndërr të tij.

Tabloidi britanik zbulon në fakt një të dhënë, sipas së cilës trajneri i gjigantëve bavarezë dëshiron të provojë në të ardhmen të sfidojë Premier Leaguen dhe, duke qenë se ka refuzuar në të kaluarën Chelsean dhe Cityn, duket se kërkon të ulet në pankinën prestigjioze të United.

Pasi ka fituar gjithçka me Barcelonën dhe ka marrë për dore Bayern Munchen sezonin e kaluar drejt fitimit të titullit të Bundesligës, Guardiola shfaqet i gatshëm të ndryshojë sërish ambient, duke u transferuar në Angli.

Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një kalim të menjëhershëm, pasi në Manchester sapo kanë nisur të korren frytet e punës së Van Gaalit. Por, herët a vonë, kjo gjë do të ndodhë. Kjo, sepse Premier është një kampionat gjithnjë në rritje.

Pastaj, një tjetër arsye është se tek United, ashtu si te Barcelona apo Bayern Munchen, ka persona të shumtë që janë të gatshëm të investojnë një lumë parash, për t’i garantuar Guardiolës një kontratë të rëndësishme dhe një skuadër më shumë se sa kompetitive.

Top Channel