Pep: Ndaj Realit gabova gjithçka

16/10/2014 00:00

Sezoni 2013-2014 ka qenë i pari i Guardiolës nën drejtimin e Bayern Munchen dhe në librin ‘Pep Confidential’, shkrimtari Marti Perarnau ka treguar të pathënat e atij sezoni që përfundoi me fitoren e titullit në Gjermani, por që ndoshta do të mbahet mend më shumë për humbjen e thellë 0-4 që bavarezët pësuan në shtëpi ndaj Realit të Madridit.

“Gabova. Gabova gjithçka. Është humbja më e rëndë në karrierën time dhe idiotësia më e madhe që kam bërë ndonjëherë”, ka thënë tek njerëzit e afërt trajneri spanjoll pas ndeshjes së kthimit të gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve.

Humbja 4-0 në Allianz Arena është më e thella në karrierën profesioniste të Guardiolës dhe gjithashtu është më e thella në historinë e Bayern Munchen në kompeticionet europiane.

Guardiola kishte menduar të luante me një formacion 3-4-3 për t’i bërë ballë kundërsulmeve të shpejta të Realit, por ndryshoi mendje dhe vendosi për një 4-2-3-1, ashtu siç kishte luajtur gjatë gjithë sezonit. Një ditë para ndeshjes, ndryshoi sërish mendje dhe vendos për një 4-2-4.

Gjithçka përfundoi në dështim…

Top Channel