Duka-De Biasi: Presim me qetësi vendimin e UEFA-s

15/10/2014 00:00

Pas takimit në Presidencë, presidenti i FSHF-së, Armando Duka ka komentuar deklaratat e bëra nga federata serbe për dhunën e inicuar nga tribuna VIP, ku ndodheshin shqiptarët.

“Nëse serbët janë provokuar nga një flamur shqiptar, a mund të jetë më shumë provokim një flamur shqiptar apo thirrjet e 30 mijë njerëzve ‘vrisni shqiptarët’, ‘digjini shqiptarët’, etj. Përballë gjithë atyre thirrjeve, ekipi ynë u soll si profesionist, vazhdoi lojën, luajti për 40 minuta nën atë trysni, jo vetëm verbale por edhe fizike, deri në momentin kur arbitri urdhëroi që ekipi ynë të dilte nga fusha. Të gjithë të tjerët kërkojnë të bëjnë politikë, por unë mendoj se nuk i bëjnë mirë as futbollit as vetes së tyre, se mirë do bëjnë nëse do reflektojnë, nëse vërtetë e shohin plagën dhe e kurojnë atë dhe jo të mundohen ta mbuloujnë plagën për arsye të një renditjeje apo klasifikimi”, deklaroi Duka.

Ndërsa për trajnerin De Biasi, deklaratat serbe janë të pakuptimta, pasi i gjithë delegacioni i Shqipërisë ka qenë mëse i qetë dhe i mbajtur nën kontroll.

“Mendoj se është diçka që nuk meriton koment. Të gjithë e panë se si u sollën tifozët e paktë shqiptarë që shoqëronin delegacionin tonë dhe të gjithë njerëz të një niveli të lartë, të vendosur në tribunën VIP dhe nuk kishin asnjë dëshirë të bënin zhurmë e as incidente. Tani do presim atë që do të vendosë UEFA, por faktet janë shumë të qarta dhe evidente dhe ne e presim këtë vendim me shumë qetësi dhe besim”, ka thënë De Biasi.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Duka. “Ajo që kemi menduar ne në fushen e ndeshjes ose pas ndërprerjes së lojës, nuk ka qenë asnjëherë renditja, çfarë do të ndodhë me renditjen, kush do të marrë pikët, por kemi menduar që ne kemi shkuar si futbollistë profesionist dhe duhet të largoheshim si njerëz nga ai stadium. Kemi menduar për jetën e njerëzve dhe jo për klasifkimin. Tani vendimet i kanë organet kompetente, le t’i marrin dhe t’i shohin pamjet dhe të zgjedhin. Vendimi duhet t’i shërbejë progresit të lojës. Nëse ata mendojnë që progresit të lojës i shërben dhuna, le të favorizojnë dhunën. Nëse mendojnë se i shërben fair paly-it le të favorizojnë fair paly-n dhe mendoj se ne kemi qenë fair play”, tha presidenti i FSHF-së.

“Le të themi që ne na vjen keq që nuk patëm mundësi të mbyllnim një ndeshje të cilën po e luanim shumë mire dhe do provonim ta fitonim në fushë. Nese UEFA do vendosë, ne atëherë do të jemi të gatshëm të pranojmë çdo vendim. Por gjëja thelbësore është që kur organizohet një eveniment sportiv, duhet të jenë kushtet që ky eveniment të zhvillohet pa vënë në rrezik jetën e njerëzve”, tha më tej De Biasi.

E në fund, i pyetur si italian, nëse një lojtar italian do të bënte të njëjtin veprim, ai u shpreh: “Është e vështirë t’jua them këtë gjë. Unë besoj se është një krenari e madhe nga ana e lojtarëve tanë, të cilët përballë flamurit kanë një thirrje shumë të fortë dhe ndihen krenarë ta mbrojnë në çdo moment”.

Top Channel